Lajme

Rregullatori i barnave të BE-së po shqyrton vaksinën Pfizer për të rinjtë


Rregullatori i barnave për Bashkimin Evropian, të hënën e 3 majit, tha se ka filluar vlerësimin e një kërkese nga Pfizer Inc. dhe BioNTech, për të zgjatur miratimin e vaksinës së tyre të coronavirus-it edhe për fëmijët e moshave nga 12 deri 15 vjeç.

Komiteti i Agjencisë Evropiane të Barnave do të kryejë një vlerësim të përshpejtuar të të dhënave të paraqitura nga Pfizer dhe BioNTech. Ai pritet të marrë një vendim në qershor, vetëm nëse kërkon informacion shtesë, tha agjencia.

Në një deklaratë të së premtes, të dy gjigandët farmaceutikë thanë se kërkesa e tyre bazohet në një studim të zhvilluar në më shumë se 2 mijë adoleshentë, çka tregoi se vaksina e tyre ishte e sigurt dhe efektive. Fëmijët do vazhdojnë të monitorohen për mbrojtjen dhe sigurinë afatgjatë edhe për dy vite të tjera.

Vaksina e kompanive aktualisht është e aprovuar për përdorim te njerëzit e moshës 16 vjeç e lart. Zgjatja e këtij aprovimi për grupmoshën më të re mund t’u ofrojë popullatave më të reja dhe më pak të rrezikuara në Evropë akses për herë të parë.

Shumica e vaksinave COVID-19, të miratuara nga autoritetet në të gjithë botën, janë për të rriturit, të cilët janë në rrezik më të lartë. Por, zyrtarët shëndetësorë besojnë se vaksinimi i fëmijëve të të gjitha moshave do të jetë thelbësor për ndalimin e pandemisë. Disa hulumtime kanë treguar se adoleshentët mund të luajnë një rol në përhapjen e virusit.

Përshtatur nga Independent për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore