Pajisje

Rregullatorët amerikanë akuzojnë Amazon-in për monopol të paligjshëm


Rregullatorët amerikanë kanë paditur Amazon-in, duke pretenduar se kompania ruan në mënyrë të paligjshme pushtetin monopol.

Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) ka bërë me dije se Amazon-i përdor “një grup strategjish antikonkurruese dhe të padrejta” për të rritur çmimet dhe për të mbytur konkurrencën.

Por Amazon-i ka thënë se padia ishte “e gabuar për faktet dhe ligjin, dhe ne mezi presim ta çojmë atë çështje në gjykatë”.

Sakaq, Amazon-i është gjigandi më i fundit i teknologjisë që është paditur nga rregullatorët amerikanë.

Shefja e FTC-së, Lina Khan, ka vite që e ka në qendër të vëmendjes Amazon-in.

Në vitin 2017, Khan, atëherë vetëm 29 vjeçe, publikoi një artikull akademik duke argumentuar se shitësi me pakicë në internet i kishte shpëtuar shqyrtimit kundër konkurrencës.

Që nga emërimi i saj si Kryetare e FTC-së në vitin 2021, ky rast është pritur gjerësisht – dhe është parë si një test vendimtar i udhëheqjes së saj.

Dominimi i disa firmave të fuqishme të teknologjisë ka bërë që disa politikanë amerikanë të bëjnë thirrje për veprime që do të nxisin më shumë konkurrencë në kërkimin online, shitjen me pakicë dhe mediat sociale.

Megjithatë, FTC nën drejtimin e Khan ka pasur pak për të treguar për retorikën e saj të fortë kundër Big Tech-ut.

Në shkurt humbi përpjekjen e saj për të ndaluar Meta-n që të blinte kompaninë VR Within.

Kurse në korrik humbi një përpjekje për të bllokuar Microsoft-in nga përfundimi i marrëveshjes për të blerë krijuesin e Call of Duty.

Ndërkohë, ka presion ndaj Khan për të bërë të paktën një ankesë të profilit të lartë – dhe në FTC ata kanë shpresa të mëdha për këtë rast.

Agjencia, së bashku me 17 avokatë shtetërorë, pretendon se Amazon-i është një “monopolist” që ndalon rivalët dhe shitësit të ulin çmimet.

Po ashtu rregullatori ka pretenduar se veprimet e gjigantit të internetit “degradojnë cilësinë për blerësit, mbingarkojnë shitësit, mbysin inovacionin dhe parandalojnë rivalët që të konkurrojnë në mënyrë të drejtë kundër Amazon-it”.

Legjislacioni amerikan kundër konkurrencës është i ndërlikuar, por në përgjithësi, prokurorët duhet të tregojnë se kompanitë kanë vepruar në një mënyrë që dëmton konsumatorët financiarisht.

Por kjo nuk është gjithmonë një gjë e lehtë për t’u provuar kur bëhet fjalë për Big Tech-un, pasi shumë nga shërbimet e tyre janë falas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore