Pajisje

Rregullat e reja të BE-së shënjestrojnë pajisjet inteligjente me rrezik të sigurisë kibernetike


Pajisjet inteligjente të lidhura me internetin do të duhet të vlerësohen lidhur me rreziqet e sigurisë kibernetike.

Po ashti duhet të rregullohen sipas draft rregullave të Bashkimit Evropian të shpallur të enjten, mes shqetësimeve për një mori sulmesh kibernetike.

Referuar ligjit të propozuar të Komisionit Evropian të njohur si Akti i Rezistencës Kibernetike, kompanitë përballen me gjoba deri në 15 milionë euro ose deri në 2.5 për qind të xhiros totale të tyre nëse nuk e bëjnë këtë.

Ekzekutivi i BE-së ka bërë me dije se kompanitë mund të kursejnë deri në 290 miliardë euro në vit në incidente kibernetike kundrejt kostove të pajtueshmërisë prej rreth 29 miliardë eurosh.

Në vitet e fundit, një seri incidentesh të profilit të lartë të hakerëve që dëmtojnë bizneset dhe kërkojnë shpërblime të mëdha kanë rritur shqetësimet në lidhje me dobësitë në sistemet operative, pajisjet e rrjetit dhe software-ët.

“Akti do ta vendosë përgjegjësinë aty ku i takon, me ata që i vendosin produktet në treg”, ka thënë shefja e digjitalizimit e BE-së, Margrethe Vestager.

Ndërsa shefi i industrisë, Thierry Breton, ka vënë në dukje pajisje të shumta që janë të cenueshme ndaj hakerimit.

“Kompjuterët, telefonat, pajisjet shtëpiake, pajisjet e asistencës virtuale, makinat, lodrat… secili prej këtyre qindra milionë produkteve të lidhura është një pikë hyrëse e mundshme për një sulm kibernetik”.

Sakaq, prodhuesit do të duhet të vlerësojnë rreziqet e sigurisë kibernetike të produkteve të tyre dhe të ndërmarrin procedurat e duhura për të rregulluar problemet për një periudhë prej pesë vjetësh ose gjatë jetëgjatësisë së pritshme të produktit.

Kompanitë do të duhet të njoftojnë agjencinë e BE-së të sigurisë kibernetike ENISA për incidentet brenda 24 orëve pasi të jenë në dijeni për çështjet dhe të marrin masa për zgjidhjen e tyre.

Kurse importuesve dhe shpërndarësve do t’u kërkohet të verifikojnë nëse produktet janë në përputhje me rregullat e BE-së.

Nëse kompanitë nuk i respektojnë ato, autoritetet kombëtare të mbikëqyrjes mund të ndalojnë ose kufizojnë një produkt të caktuar që të vihet në dispozicion në treg.

Projekt-rregullat do të duhet të bien dakord me vendet e BE-së dhe ligjvënësit e BE-së përpara se të bëhen ligj.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore