Sport

Rrëfimi pa doreza i presidentit shqiptar të regbisë


Shoqëria e parë sportive krijuar nga një grup të rinjsh. Nëntë vite më parë edhe në Shqipëri do të çelte një shoqëri e veçantë.

Një grup gjimnazistësh, të frymëzuar nga video Youtube-i, e shndërruan pasionin e tyre në sukses.

Sot, president i Shqipëria Regbi Ligë (SHRL), Arnaldo Telo, për Albanian Sport rrëfen në një intervistë zhvilluar online gjithë rrugëtimin e këtij sporti të veçantë në Shqipëri.

Si lindi Klubi i Regbisë Tirana? Përse ky sport?

Ishte viti 2012, kur një grup gjimnazistësh të frymëzuar nga video Youtube-i krijuan shoqërinë e parë të regbisë. Pikënisja e kësaj iniciative ishte tërësisht spontane. Gradualisht pjesëmarrja u rrit në krijimin e një ekipi të mirëfilltë: Klubi i Regbisë Tirana.

Konkretisht si ndodhi?

Të nxitur nga kureshtja, katalizuar kjo përmes kanaleve elektronike, lindi një pasion sporti aspak rutinor në Shqipëri – regbi.

Ecuria e këtij sporti në Shqipëri?

Sot, Shqipëria Regbi Ligë ka statusin Observer (u jepet shoqërive e grupeve, që ende nuk janë anëtarësuar në një organizatë ndërkombëtare të marrin pjesë në aktivitetin e tyre) nga Federata Ndërkombëtare IRL (Liga Ndërkombëtare e Regbisë) dhe ERL (Liga Evropiane e Regbisë), si dhe dy ekipe: Klubi Regbisë Tirana dhe Ilirët XIII. Ndërkohë, po punojmë për krijimin e ekipit të tretë – K.R. Flamurtari.

Si funksionon regbia?

Pakkush në Shqipëri e di që regbia është e ndarë në dy disiplina: Rugby Union dhe Rugby League. Këto janë dy sporte të ndryshëm, me rregulla të ndryshme.

Në Shqipëri, fillimet e regbisë kanë qenë në rugby union, si disiplina më e njohur ndërkombëtarisht. Prej tre vitesh, tashmë, po zhvillohet disiplina e rugby league.

Sa ka ecur Kombëtarja në kompeticionet ndërkombëtare?

Regbi Tirana ka qenë pjesë e Superligës Ballkanike, gjithashtu Shqipëria, ekipi kombëtar i Shqipërisë ka qenë pjesë e Kupës Ballkanike në Rugby 9s në Beograd të Serbisë, si dhe ndeshjen e parë të ekipit kombëtar kundër GB Pioneers (Ekipi kombëtar i Universiteteve të Mbretërisë së Bashkuar).

Si luhet?

Qëllimi i lojës është kalimi i topit në zonën e shënimit të kundërshtarit me gjashtë tentativa, duke u munduar të bllokosh kundërshtarin me trup, për të mos e lejuar të shkojë në zonën fundore të shënimit.

Sa lojtarë ka një ekip regbie?

17 lojtarë ka çdo ekip, ku 13 janë në fushë dhe 4 janë rezervë. Bëhet fjalë për një sport fizik, ku lejohen 9 ndërrime lojtarësh gjatë lojës. Kjo u jep mundësinë lojtarëve të hyjnë dhe të dalin nga fusha disa herë për të rikuperuar forcat.

E ardhmja e regbisë në arenën e sportit shqiptar?

Kemi një plan afatshkurtër dhe një plan afatgjatë, të përpiluar me synimin për të përhapur sportin e regbisë në gjithë Shqipërinë, pse jo dhe krijimin e ekipeve të reja. Çka do të çonte në krijimin e një kampionati kombëtar dhe Kupës së Republikës. 

 

A do të kemi akademi të moshave?

Po. Synimi i një akademie është i afërt, pasi çdo sport me themele u jep mundësinë brezave të rinj, që ta çojnë përpara regbinë.

Mjaft të shohim shtetet fqinje në Rajonin e Ballkanit. Regbia është një sport që na përshtatet për mentalitetin që kemi si popull, “kokëfortësia” për të mos u dorëzuar lehtësisht.

Gjithashtu edhe aspekti fizik, pasi shqiptarët njihen botërisht për aftësitë fizike dhe në sporte të tjera. Prandaj jam besimplotë që ky sport do të jetë “elitar” në të ardhmen.

Na flisni pak për ligën shqiptare të regbisë. Si funksionon dhe a do arrijë të depërtojë me sukses në kampionatet ndërkombëtare?

SHRL po bashkëpunon me federatat mike, si Federata Greke e Regbi Ligës dhe ajo Turke. Ajo e Serbisë ka një rëndësi të veçantë, pasi është ndër të parat federata që na ka ndihmuar në rrugëtimin tonë.

Keni marrë pjesë në Kupën Ballkanike Rugby?

Po, si pjesë e Federatës Evropiane të Regbi Ligës dhe International Rugby League kemi marrë pjesë në Kupën Ballkanike Rugby 9s 2019, të zhvilluar në Beograd të Serbisë, ku Shqipëria RL (Regbi Ligë) zuri vendin e katërt nga tetë shtete pjesëmarrëse.

Për financimin ç’mund të na thoni?

 

Problemi kryesor mbeten financat, pasi SHRL nuk ka asnjë ndihmë nga instancat shtetërore, as disponon ndonjë sponsor dhe çdo aktivitet vetëfinancohet nga lojtarët dhe stafi i ekipit kombëtar.

Si e shihni të ardhmen?

Synimi ynë është përfaqësimi i Shqipërisë në eliminatoret e Kupës së Botës dhe Kampionatin Evropian të Rugby League, të cilin jemi të bindur që do të realizohet në 3 vitet e ardhshme falë punës dhe mbështetjes nga Federata Evropiane e Regbi Ligës. Kjo është dhe pika kryesore e planit tonë afatgjatë. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore