Shqipëria

Rrëfimi i një arbëreshi përmes një kalendari


Dy mbesat e fotografit Loris Guzzeta si modele

Këtë herë ai vendosi që t’i fokusonte lentet te diçka që e grishte prej kohësh, që në vegjëli.

Me aparatin e tij fotografik përjetësoi imazhet e një kulture frymëzuese.

Fotografi sicilian, Loris Guzzeta, i cili jeton dhe punon në Nju Jork, ka bërë deklaratën e tij “të dashurisë për trashëgiminë kulturore”.

Për Albanian Post, teksa flet për kalendarin arbëresh, të parin në histori, shpjegon sesi është përpjekur që, deri në detaje, “tek çdo imazh të ndihet aroma e ëmbëlsirave tona të sapopjekura, aroma e temjanit në ditën e Pashkëve, por mbi të gjitha simbolika fetare e veshjeve të grave arbëreshe, unike në botë për lulëzimin dhe bujarinë e tyre”.

Kalendari i parë arbëresh

Ky kalendar tërheq vëmendjen për kulturën e rrezikuar të një pakice etnike që ka jetuar në Italinë Jugore për më shumë se 500 vjet.

Në vitin 1485, refugjatët shqiptarë u larguan nga persekutimi në Perandorinë Osmane dhe u vendosën në Puglia, Basilicata, Kalabri, Kampani, Molise dhe Siçili.

Guzzetta u rrit duke folur arbërisht, në një nga komunitetet siciliane, Piana Degli Albanesi.

Shtegtimi dhe qëndresa shekullore e arbëreshëve për ta ruajtur identitetin e tyre ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e studiuesve, por edhe të njerëzve të thjeshtë.

Të vendosur në jug të Italisë prej gjashtë shekujsh, ata me fantatizëm kujdesen edhe sot për gjuhën, kulturën dhe traditat e të parëve të tyre.

Pas vitesh pune ndërkombëtare, si fotograf i modës dhe së bukurës Guzzeta – numëron klientë nga marka të njohura ndërkombëtare, si: L’Oréal, Ann Taylor, Erno Laszlo dhe Beautyblender – vendosi të rekrutonte fqinjët dhe anëtarët e familjes për projektin frymëzues së jetës së tij.

Ai me krenari shprehet se ky kalendar është i veçantë për të pasi përcjell traditën e arbëreshe në frymën e festave.

“Çdo element i këtij kalendari është vendas, që nga Caterina Cangialosi, modelja kryesore, e cila është me origjinë nga Piana degli Albanesi”, shpjegon fotografi.

“Fustani që ajo mban veshur është qëndisur në ar në fillim të shekullit të kaluar nga gjyshja, me rastin e dasmës së saj. Rripi, po ashtu, ishte një dhuratë nga gjyshi për gjyshen në ditën e fejesës, siç edhe e kërkon tradita arbëreshe”.

Imazh, shkëputur nga kalendari i fotografit Guzzeta

Guzzetta rrëfen i emocionuar se si modele – por edhe simbol i vazhdimësisë së kulturës arbëreshe – janë dy mbesat e tij.

Teksa shfletojmë kalendarin, ato shfaqen në muajt e verës, të kuruara me veshje tradicionale.

Sigurisht ai nuk do t’ia dilte t’i jepte jetë këtij kalendari pa bashkëpunimin me intelektualin dhe koleksionistin arbëresh, Stefano Schiró, i cili kontribuoi me aksesorët dhe stilimin.

Një falënderim të veçantë, Guzzetta, ia dedikon nënës së tij Anna Fileçia, e cila u kujdes për pjesën logjistike dhe organizative.

Po ashtu, ai shpreh mirënjohjen edhe për Giusy Schiró, ekspert i gjuhës arbëreshe, i cili dha kontributin në hartimin e tekstit dhe në përkthimet.

“Në bashkëpunim me Schiró, ime më ndihmoi në hulumtimin e festave dhe festimeve të ditës së shenjtorëve çdo muaj dhe u lidh me shitësit lokalë dhe drejtuesit e komunitetit”.

Në përmbyllje, fotografi zbulon se nuk do të ndalet me kaq.

“Në të ardhmen e afërt, pse jo, fotografitë e kalendarit të kthehen në një ekspozitë”.

Data dhe vendi mbeten për t’u zbuluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore