Aplikacione

Rrëfimet e adoleshenteve rumune për qasjen ndaj tyre të Andrew Tate


Daria Gusa ishte vetëm 16 vjeçe kur mori një mesazh privat në Instagram nga Andrew Tate, një influencues i profilit të lartë 20 vjet më i madh se ajo.

“Isha konfuz sepse kisha vetëm 200 ndjekës dhe ishte një llogari private”, ka thënë ajo për mesazhin e tij ku shkruhej veç “vajza rumune” me disa emoji.

Ajo është një nga dy adoleshentet që kanë përshkruar për median britanike “BBC” se si Andrew Tate dhe vëllai i tij Tristan iu afruan atyre në internet.

“Ishte e qartë se ne ishim vajza të shkollës së mesme. Ne kishim shkollën tonë të mesme në biografinë tonë. Unë mendoj se ai thjesht po përpiqej të gjente vajza që ishin sa më naive, për mendimin tim”, ka treguar ajo.

Daria, e cila tani është në universitet në Mbretërinë e Bashkuar, është vajza e një politikani të shquar rumun dhe ndihet në gjendje të flasë publikisht kur të tjerët kanë refuzuar ta bëjnë këtë.

Aktualisht, vëllezërit Tate janë në paraburgim 30-ditor në Rumani teksa policia heton akuzat për përdhunim dhe trafikim, të cilat të dy i mohojnë.

Që kur ndau përvojat e saj, Daria thotë se shumë të rinj e kanë akuzuar për mashtrim.

“Edhe djemtë që i njihja nga shkolla e mesme po më quajnë gënjeshtare duke thënë se dikur kam marrë një mesazh nga Andrew Tate”, ka thënë Daria.

Sipas saj, shumë djem të moshës së saj e admirojnë Andrew Tate, i cili tani është 36 vjeç. “Ky është një problem i madh sepse ne nuk mund të zgjohemi pas 20 vjetësh me dy milionë Andrew Tate”.

Në një publicitet për kurset e tij në internet, në manipulimin dhe shfrytëzimin e grave, Andrew Tate ka thënë se ka drejtuar një studio web-cam për më shumë se një dekadë.

“Mbi 50 për qind e punonjësve të mia ishin në të vërtetë të dashurat e mia në atë kohë dhe mbi të gjitha shoqet e mia”, ka vijuar ai.

Sakaq, Gabriela (jo emri i saj i vërtetë) ishte 17 vjeçe kur u kontaktua në rrjetet sociale nga vëllai i Andrew Tate, Tristan.

“E dija se ai po përdorte të njëjtën qasje me vajzat e tjera. Ai e nis gjithmonë bisedën me të njëjtën linjë: Ti je e bukur”, ka treguar vajza.

Po ashtu ka thënë se një mikeshë e saj mori saktësisht të njëjtin mesazh hapës nga Tristan Tate.

Në videon e tij në internet, Andrew Tate thotë se fraza “ti je e bukur” nuk është e keqe si hapje, dhe vazhdon të përshkruajë atë që ai e sheh si një shembull i përsosur i një bisede.

Pas disa shkëmbimeve, biseda mes tyre përfundoi papritur pasi ajo postoi një video për të në mediat sociale.

Nuk ka asgjë të paligjshme që vëllezërit Tate të kontaktojnë vajza 16 ose 17 vjeç në internet, ose t’i ftojnë ato.

Por dëshmia e këtyre vajzave të reja, së bashku me komentet e Andrew Tate në internet, sugjerojnë një metodë të planifikuar paraprakisht për fillimin e kontaktit.

Asnjë akuzë nuk është ngritur ende kundër vëllezërve Tate. Periudha e tyre e paraburgimit prej 30 ditësh do të përfundojë brenda pak më shumë se një jave.

Me gjithë videot rrëfimtare dhe komentet për jetën e tyre personale, akuzat ndaj tyre mbeten të pavërtetuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore