Sport

Rrahmani: Jemi një skuadër që mund të luftojmë për më shumë


Futbollisti i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, shënoi golin e barazimit, në ndeshjen e fundit kualifikuese të Kupës së Botës, që Kosova barazoi 1:1 në udhëtim te Greqia.

Rrahmani që ishte futbollisti me notën më të lartë në fushë, (7.8) pas golit të realizuar, shfaqi një figurë interesante, ku u pa i nervozuar.

Pas ndeshjes, 27 vjeçari tha se të gjithë ekipi janë të nervozuar dhe duhet të harrohen këto ndeshje të dobëta, pasi që ekipi është për nivele më të larta.

“Nuk jemi të kënaqur me paraqitjet që kemi bërë. Jemi të gjithë të nervozuar. Ky është karakteri im, mendoj se jemi një skuadër që mund të luftojmë për më lartë”, tha Amir Rrahmani.

“Nuk ka më justifikime, duhet të ketë ndryshim pasi mund të janë kualifikimet e fundit apo të parafundit që jemi në këtë moshë kështu që duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht”, shtoi kapiteni i Kosovës.

Qendërmbrojtësi i skuadrës së Napolit, u ndal duke komentuar ndeshjen, për të cilën tha se barazimi ishte rezultat real i këtij takimi.

“Raste kishim të dyja ekipet dhe nuk ishim të koncenturara maksimalisht, pasi që dëshira ishte të fitonim takimin dhe kjo ka bërë që të lejojmë më shumë hapësira në mbrojtje. Besoj se barazimi ishte rezultat real në këtë ndeshje, tha mes tjerash Amir Rrahmani.

Kujtojmë që Kosova e mbylli aventurën kualifikuese të Kupës së Botës në vendin e pestë, me pesë pikë të grumbulluara, me Spanjën si lider me 19 pikë, Suedia me 15, Greqia me 10 dhe Gjeorgjia me shtatë sosh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore