Kosova

Roth shpreh shqetësim rreth metodës “jo të dhunshme” të Serbisë për spastrim etnik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës


Michael Roth

Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Gjermanisë, Michael Roth, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, kërkoi nga Qeveria e Serbisë që të ndalë menjëherë diskriminimin sistematik dhe spastrimin etnik të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.

“Një hap i mëtejshëm prapa në rrugën drejt bashkëpunimit dhe bashkëjetesës paqësore në Ballkanin Perëndimor. Serbia diskriminon sistematikisht pakicën shqiptare. Edhe pse kjo formë e spastrimit etnik është jo e dhunshme, ajo mbetet një krim”, shkroi deputeti gjerman.

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, në një përgjigje për rrejtin gjerman të lajmeve “Deutsche Welle” në gjuhën shqipe, ka shprehur shqetësimin për pasivizimin e adresave të qyetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – në pjesën jugore të Serbisë.

“Shpesh raportohen raste ku organet i çregjistrojnë banorët, pas kontrolleve të bëra enkas, kur ata janë me pushime, në udhëtime, ose nuk janë në banesë për disa ditë. Riregjistrimi ka pengesa të mëdha. Kjo bën që të zvogëlohet numri i anëtarëve të pakicës që janë të regjistruar”, thuhet në përgjigje.

“Këto të drejta janë të garantuara si me kushtetutë dhe me ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare. Serbia ka ratifikuar Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës. Tendenca e ‘pasivizimit’ të popullsisë shqiptare etnike në jug të Serbisë është në kundërshtim me këto obligime ligjore”, ka shtuar ajo.

Politika diskriminuese e Serbisë qëndron në faktin se në momentin kur shqiptarëve u pasiviziohet adresa e vendbanimit dhe fshihet nga regjistri civil i shtetit, ai/ajo nuk mund të marrë letërnjoftim të ri ose pasaportë.

E qytetari shqiptar nuk gëzon të drejtën e shërbimeve mjekësore ose asistencës sociale, nuk mund të regjistrojë makinën, nuk mund të blejë apo shesë pronën dhe nuk mund të votojë në zgjedhjet lokale apo qendrore.

Ndryshe, përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi kanë kërkuar vazhdimisht reciprocitet të të drejtave me serbët që jetojnë në Kosovë, pas pakënaqësive me statusin e tyre në përgjithësi, posaçërisht në Novi Pazar, Tutin e Sjenicë në Sanxhak dhe në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore