Lajme

Roth: Lidhjet e ngushta të politikanëve malazezë me Vuçiç-in e minojnë rrugën evropiane të Malit të Zi


Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, ka thënë se aleancat e politikanëve malazezë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, mund t’i minojnë aspiratat evropiane të Malit të Zi.

“Është shqetësuese kur politikanët malazezë janë në lidhje të ngushta me një lider që është dëshmuar se është një partner jo i besueshëm për BE-në dhe rajonin”, tha Roth në një intervistë për mediumin malazez Pobjeda.

Ai ka theksuar se BE-ja dhe Qeveria e Malit të Zi  duhet të punojnë së bashku për ta bërë Malin e Zi një vend që do të shërbejë si model për integrimin evropian.

“Fatkeqësisht, procesi i anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor shumë shpesh u pengua nga forcat populiste dhe nacionaliste, si brenda BE-së ashtu edhe jashtë saj”, shtoi.

“Pranimi në BE nuk është vetëm çështje e qeverisë aktuale. Është një projekt që përfshin të gjithë shoqërinë që ka nevojë për mbështetje nga i gjithë spektri partiak, biznesi, shoqëria civile dhe mbarë vendi. E mirëpres progresin që ka arritur Mali i Zi dhe mirëpres punën e qeverisë aktuale në këtë drejtim”.

Tutje, Roth ka potencuar se Qeveria e Malit të Zi ka një shans real të dëshmojë angazhimin e saj pro-evropian me një raport pozitiv për përmbushjen e standardeve të përkohshme, derisa ka potencuar se BE-ja duhet të mirëpresë dhe të mbështesë progresin e Malit të Zi, por i takon qeverisë që t’i përmbush premtimet e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore