Sport

Ronaldo-s i ofrohet rikthimi në Real Madrid si zëvendësues i Benzema-s


Cristiano Ronaldo duket se i ka orët e numëruara në Manchester United, pas intervistës shpërthyese me Piers Morgan.

Sipas raportimeve të fundit nga Spanja, yllit portugez i është ofruar një mundësi për t’u rikthyer në Real Madrid, për ta zëvendësuar të lënduarin Karim Benzema-n.

Sipas asaj që shkruan gazeta spanjolle, “Sport”, madrilenët janë duke kërkuar një sulmues për një kohë të shkurtë dhe i kanë ofruar Ronaldo-s një kontratë gjashtë-mujore.

Lajmi vjen pas intervistës shpërthyese të Ronaldo-s me Piers Morgan, në të cilën 37-vjeçari kritikoi hapur ekipin e tij, duke përfshirë trajnerin Erik Ten Hag dhe Glazers, pronarët e klubit.

Si rezultat, United duket i vendosur të ndërpresë kontratën e Ronaldo-s me pëlqim të ndërsjellë pas Kupës së Botës.

Kështu Real-i thuhet se mund ta rikthejë përsëri në ekip golashënuesin më të mirë në historinë e klubit të tyre.

Kujtojmë që Benzema u largua nga kombëtarja e Francës në orët e fundit, pak para nisjes së Kupës së Botës, pasi pësoi një dëmtim.

Mungesa e 34-vjeçarit në prag të turneut do të jetë një goditje e madhe për trajnerin e Francës, Didier Deschamps, i cili gjithashtu do të jetë pa Paul Pogba dhe N’Golo Kante.

Sa i përket Ronaldo-s, ai kaloi vitet më të mira në karrierën e tij me fanellën e Real Madrid-it.

Portugezi ishte bashkuar me Real-in pikërisht nga Manchester United në verën e vitit 2009, për një shifër rekord të atëhershme, 94 milionë euro.

CR7 me fanellën e Real-it e fitoi katër herë Topin e Artë, katër herë Ligën e Kampionëve dy herë La Liga-n dhe shumë trofe të tjerë.

Ai në total kishte shënuar 450 gola në 438 paraqitje me fanellën e klubit mbretëror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore