Sport

Roma ia plotëson dëshirën Mourinho-s, gati transferimin e futbollistit portugez


Trajneri i Romës, Jose Mourinho, menjëherë pas humbjes së ekipit të tij kundër Juventus-it, u ankua te lojtarët e tij, teksa në të njëjtën kohë njoftoi edhe afrimin e dy futbollistëve të rinj gjatë afatit kalimtar dimëror.

Njëri nga ta është anglezi Ainsley Maitland-Niles, i cili do të transferohet në formulën e huazimit nga Arsenal-i, ndërsa tjetri është mesfushori i Porto-s, Sergio Oliveira.

Oliveira tashmë është përshëndetur me shokët e tij te klubi portugez dhe pritet të udhëtojë të martën drejt kryeqytetit italian, për të kryer vizitat mjekësore.

Marrëveshja mes dy klubeve tashmë është kryer, në të cilën është përfshirë një pagesë prej 1.5 milionë eurove për një huazim gjashtë-mujor, si dhe Roma mund ta blejë përfundimisht lojtarin në fund të sezonit për shifrën e rreth 13 milionë eurove.

Mesfushori portugez ka shkëlqyer së fundmi me fanellën e Porto-s i cili në sezonin e kaluar kishte shënuar 20 gola dhe kishte dhuruar shtatë asistime në 48 paraqitje në të gjitha garat.

Gjithashtu edhe në këtë sezon, Oliveira po realizon paraqitje të mira, i cili në 24 ndeshje, ka shënuar pesë gola dhe ka dhuruar një asistim.

Ndërkaq, mesfushori 29 vjeçar numëron edhe 13 paraqitje zyrtare me kombëtaren e Portugalisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore