Sport

Roli i besimit fetar në revolucionin futbollistik të Arabisë Saudite


Karim Benzema - Sadio Mane

“Është vendi ku dua të jem. Është e rëndësishme për mua të jem në një vend mysliman, ku ndihem se njerëzit (janë) tashmë si unë. Do të më lejojë të kem një jetë të re dhe mezi pres të jetoj atje”.

Karim Benzema la pak vend për paqartësi kur justifikoi vendimin e tij për të shkëmbyer futbollin evropian me Arabinë Saudite këtë verë. Fituesi më i fundit i Topit të Artë i sportit iu bashkua kampionëve të Saudi Pro League (SPL) Al Ittihad nga Real Madrid në qershor. Një transferim që fillimisht ngriti vetullat, por është pasuar nga një eksod i lojtarëve të tjerë me emra të mëdhenj me bazë në Evropë që kaluan në klubet e shtetit të Gjirit.

Ndërkohë që pagat e larta dhe një stil jetese komod konsiderohen kryesisht si motivet kryesore për transferimin e talenteve të njohur global në Arabinë Saudite, 35-vjeçari Benzema dha një arsye tjetër, besimin e tij.

Në javët që pas lëvizjes së Benzema-s, në mesin e nxitimit të lojtarëve nga ligat më të mira evropiane për të bërë të njëjtën gjë, shtatë të tjerë janë gjithashtu myslimanë: N’Golo Kante, Edouard Mendy, Kalidou Koulibaly, Seko Fofana, Moussa Dembele, Riyad Mahrez dhe Sadio Mane.

Që kur fondi sovran i pasurisë saudite, PIF, mori kontrollin e katër klubeve të SPL në qershor, prioriteti duket të jetë nënshkrimi i lojtarëve të njohur globalisht, ata që kanë luajtur futboll të nivelit të lartë në Evropë dhe janë të disponueshëm për të nënshkruar. Por burime, të cilët kanë kërkuar të mbeten anonime, i kanë thënë “The Athletic” se rekrutimi i talenteve të elitës myslimane ka qenë gjithashtu pjesë e strategjisë.

Ndërsa francezi Benzema i përshkroi në mënyrë eksplicite synimet e tij, sa i rëndësishëm është pozicioni i Arabisë si një vend historikisht islamik kur tërheq lojtarë të atij besimi në ligën e saj? Çfarë roli luan besimi për lojtarët myslimanë? Dhe si ishte në gjendje të lulëzonte kultura e futbollit saudit nën një regjim fetar konservator?

Paketat fitimprurëse financiare dhe një tranzicion më i butë kulturor ndihmojnë disi në shpjegimin e dëshirës simbiotike të lojtarëve myslimanë për të lëvizur atje, por “The Athletic” ka folur me një gamë të gjerë individësh dhe ekspertësh për të fituar një kuptim më të afërt të përvojës së lojtarëve të besimit dhe si lidhet Islami me fenomenin e futbollit saudit.

“Lindja e Mesme, ose futbolli arab i Lindjes së Mesme, është ndër kulturat më të politizuara të futbollit në botë”, thotë Dag Henrik Tuastad, një lektor i lartë i Studimeve të Lindjes së Mesme në Universitetin e Oslos në Norvegji.

“Historikisht, kishte struktura patriarkale, dhe jo vetëm kontrolli mashkullor i grave, por kontrolli i brezave të vjetër ndaj të rinjve. Dhe më pas futbolli u bë një hapësirë për një formë revolte sociale, ku mund të lidheshit së bashku dhe të mblidheshit jashtë zinxhirëve të familjes”.

“Regjimet politike e lejuan pasi mund të përdornin edhe arenat e futbollit për të mbajtur publikun atje”.

“Në Arabinë Saudite, kishte gjithashtu shumë klerikë konservatorë myslimanë, të cilët e shihnin futbollin si një agjent të perëndimizmit dhe sekularizimit. Kishte skepticizëm sepse ata e konsideronin atë si një sfidë ndaj kodit të tyre moral të Islamit”, tregon Tuastad.

Një tension i tillë hodhi themelet për rolin e futbollit si një arenë popullore unike e fuqishme për shprehjen shoqërore brenda kombit, veçanërisht në prag të Pranverës Arabe në fillim të viteve 2010.

Në vitin 2012, Princi Nawaf bin Faisal u ndje i detyruar të largohej nga posti i kreut të Federatës Saudite të Futbollit pas protestave nga mbështetësit e futbollit për dështimin e vendit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës në Brazil dy vjet më vonë.

Ndërsa zgjedhjet e lira rrallë shihen diku tjetër në vend, federata e futbollit më pas zgjodhi Abdullah Ahmed Eid Al-Harbi, një ish-portier dhe, në mënyrë të konsiderueshme, një njeri i zakonshëm jashtë dinastisë saudite.

“Themeli historik i shtetit ishte i një klani, saudit, që ishte në linjë me ideologjinë fetare të Vehabit”, thotë Tuastad. “Themeli ideologjik i këtij klani i lejoi ata ta eksportonin atë në të gjithë kombin dhe të ishin të parët mes fiseve për shkak të legjitimitetit të tyre fetar”.

“Por tani hendeku midis atij lloj vehabizmi dhe ndjenjave rinore është shumë i madh”, vijoi ai.

Që kur u emërua princ i kurorës në qershor 2017, Mohammed Bin Salman, i njohur si MBS, është përpjekur të adresojë ndarjen e brezave duke imponuar reforma sociale me shpejtësi marramendëse, duke përfshirë ngritjen e profilit të sportit në mbretëri.

“Nën MBS, ne kemi pasur atë që mund të quhet ‘rirevolucion’, një përzierje midis një revolucioni dhe reformave”, thotë Tuastad. “Në thelb, ai është i ri (po mbush 38 vjeç këtë muaj) dhe po u jep të rinjve atë që duan”.

Karim Benzema gjatë prezantimit në Arabi

Kritikët e shohin investimin e qeverisë saudite në futboll dhe sporte të tjera si një përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga rekordi i zymtë i të drejtave të njeriut në vend, i cili është përshkruar si “i tmerrshëm” nga “Amnesty International”, si dhe shtypja e mospajtimit politik.

Qytetarët sauditë thonë për “The Athletic” se situata e vendit të tyre është debatuar ashpër në disa qarqe private, pasi ka një disonancë në pajtimin e ndryshimeve pozitive që po përmirësojnë jetën saudite me motivimet më të gjera politike të shtetit. Ndërsa ideja e përdorimit të sportit si një mjet për të arritur objektivat socio-politike dhe ekonomike nuk është e re, futbolli saudit ka rrënjë organike dhe ka bërë bujë të madhe mes mbështetësve.

Për shembull, destinacioni i Benzema-s Al Ittihad shpesh konsiderohet si “klubi i popullit”. Me bazë në qytetin port të Xhedah, i dyti vetëm pas kryeqytetit Riad për nga madhësia, ata kanë fituar një lidhje me komunitetet e tij të klasës punëtore. Ata gjithashtu kanë mbajtur tradicionalisht tifozë nga klani Hawsawi, i cili ka rrënjë afrikano-perëndimore, dhe për pasojë kanë parë një përfaqësim më të madh të lojtarëve afrikanë dhe emigrantë në krahasim me ekipet e tjera saudite.

Në mënyrë të ngjashme, ngjyrat e kuqe dhe të bardha të Al Wehda-s janë frymëzuar nga flamuri indonezian, një shenjë për një popullsi të madhe emigrantësh nga ai vend i Azisë Lindore me bazë në rajonin e tyre të origjinës, Mekë.

Kjo është paralele me tifozët e klubeve evropiane, të tilla si Tottenham Hotspur me komunitetin hebre që rrjedh nga vendndodhja e tyre gjeografike. Shumë hebrenj hasidikë u vendosën në pjesën veriore të Londrës, ku janë vendosur Spurs, në mesin e shekullit të 20-të, ndërsa ikën nga persekutimi në Evropë. Në mënyrë të ngjashme, Atletico Madrid shihet si klasa më punëtore e dy klubeve të shquara në kryeqytetin spanjoll, pasi fillimisht ka luajtur në distriktin industrial të Vallecano.

Portieri i pensionuar nga Omani, Ali Al Habsi, i cili luajti në Oman, Angli, Norvegji dhe Arabinë Saudite gjatë një karriere 22-vjeçare, kujton natyrën fanatike të futbollit saudit.

“Al Hilal (me bazë në Riad) është si Manchester United. Nëse ata do të kishin një stadium me 100,000 vende, do ta mbushnin atë në ndeshjet e mëdha”, thotë Al-Habsi. “Ata janë të çmendur pas futbollit”.

Ndërsa Liga Pro Saudite nis ambicien e saj për të rivalizuar ligat më të mira evropiane, qëllimi i saj publik është të konsiderohet si ndër 10 më të mirat në botë. Atdheu i saj duke qenë vendlindja e Islamit ka ofruar një mundësi për të ndihmuar në tërheqjen e talenteve të profilit të lartë myslimanë në klubet e saj.

Avokati sportiv dhe agjenti i futbollit, Erkut Sogut, klientët e të cilit përfshijnë ish-mesfushorin e Arsenal-it dhe Real Madrid-it, Mesut Ozil, shpjegon dinamikën.

“Për dikë që është një mysliman praktikues dhe që shkon në një vend mysliman, sigurisht, ka avantazhet e veta”, thotë Dr Sogut. “Një musliman që fal pesë herë në ditë, i cili bën të gjitha gjërat që duhen për një musliman, siç janë disa nga këta lojtarë, mjedisi është i rëndësishëm”.

“Lutjet janë të rëndësishme dhe gjithmonë ka rëndësi të qenit në një vend ku ka një xhami afër. Edhe nëse lojtarët janë muslimanë jo-praktikues, ata mund të kenë prindër ose anëtarë të familjes dhe nuk do të duhet të mendojnë për gjëra të tilla si: ‘A është hallall ushqimi që po ha?’”.

“Është shumë e rëndësishme për disa. Është një pjesë e jetës suaj dhe ju nuk dëshironi të hiqni dorë nga kjo”, shpjegon Erkut.

Al-Habsi, një mysliman i devotshëm, i bën jehonë ndjenjës, duke shtuar, “Unë nuk mund të jetoj pa të (besimin)”.

Lojtarë të shquar si mesfushori i Francës, fituesi i Kupës së Botës 2018, Paul Pogba dhe kapiteni i kombëtares së Egjiptit, Mohamed Salah, kanë bërë vizita të shumta në vendet e shenjta të Mekës dhe Medinës për të kryer Umren, një pelegrinazh i rekomanduar për muslimanët që mund të kryhet në çdo kohë të vitit.

Prandaj, njohja me vendin dhe zakonet e tij mund të ndihmojë në vendimmarrjen e lojtarëve kur Arabia shfaqet si një destinacion i mundshëm karriere.

Në mënyrë të ngjashme, Xhedah është afërsisht 40 minuta me makinë nga Meka, e cila u ofron lojtarëve myslimanë mundësinë për të banuar në afërsi të qyteteve të shenjta islame.

Më pak se një javë pas mbërritjes së tij te Al Ittihad dhe dy javë pasi ata nënshkruan me Benzema-n, mesfushori Kante (një fitues i Kupës së Botës, Premier League dhe Champions League që ishte bashkuar nga Chelsea) u pa duke kryer Haxhin, pelegrinazhi që është i detyrueshëm për muslimanët për ta bërë të paktën një herë në jetën e tyre, me mesfushorin e Milan-it, Ismael Bennacer.

Shumica e lojtarëve myslimanë që kanë bërë kalimin në SPL këtë verë janë gjithashtu të trashëgimisë afrikano-perëndimore, me ndërsektorialitetin e shtuar të racës që është një konsideratë e mundshme e mëtejshme.

Moussa Marega, një sulmues që ka qenë te Al Hilal që nga viti 2021, doli nga fusha në shenjë proteste pasi pësoi abuzim racist nga tifozët kundërshtarë ndërsa luante për Porto-n kundër Vitoria Guimaraes në ligën portugeze vitin e kaluar. Ai deklaroi në një intervistë të fundit, “Unë mund të kisha shkuar në një klub në një vend tjetër (në Evropë), por preferova të shkoja në një kontinent tjetër pas incidentit në Portugali”.

“Agjenti im më telefonoi dhe më tha se kishte një ofertë nga Arabia Saudite dhe më pyeti nëse isha i interesuar. Një ose dy javë më parë, kisha folur me gruan time për të ardhmen dhe mundësinë për të shkuar në një vend islamik, meqenëse jemi muslimanë”.

Reprezentuesi nga Mali është pritur me dashuri gjatë dy viteve të tij në mbretëri dhe ka fituar pseudonimin e “Sheikh Moussa” në mesin e mbështetësve të Al Hilal, në lidhje me fenë e tij të dukshme.

Në Arabinë Saudite, ndryshe nga vendet fqinje në rajon, Sheikhu përkufizohet si udhëheqje fetare, shpesh si sinonim i Imamit, në vend që të tregojë udhëheqjen fisnore ose politike.

Ndërsa mbretëria nuk është e lirë nga diskriminimi racor, dhe skllavëria u shfuqizua vetëm në vitin 1962, ka raporte të kufizuara në lidhje me diskriminimin ndaj futbollistëve brenda stadiumeve, një largim i dukshëm nga peizazhi ekzistues evropian.

Ndërsa mungesa e raporteve mund të mos tregojë historinë e plotë, në këtë rast ajo përputhet me ata me të cilët foli “The Athletic”, të cilët thanë se brohoritjet abuzive janë më të zakonshme midis grupeve të tifozëve dhe rrallëherë shpërndahen për t’u drejtuar te lojtarët.

Mbështetësit në SPL duken më pak të shqetësuar për besimin ose përkatësinë etnike të një lojtari, me një afinitet më të madh ndaj origjinës së tyre të futbollit dhe interesit për kulturën saudite.

“Padyshim që ka një vlerë nëse një lojtar mysliman bashkohet, sepse ne tifozët do të ndjejmë se ai do të gëzonte më shumë qëndrimin e tij dhe do të donte të ishte në vend. Dhe, padyshim, ju keni atë vëllazëri të përbashkët muslimane”, thotë Abdulaziz, një tifoz futbolli në Arabinë Saudite. “Por ne priremi ta vlerësojmë më shumë kur lojtarët përpiqen të dinë më shumë për kulturën”.

“Nëse duan të dinë për ushqimin, për muzikën dhe traditat tona që vlerësohet shumë nga sauditët në përgjithësi, sepse nuk e shihni aq shpesh. Pra, kur dikush e bën atë dhe ju e dini se është e vërtetë me qëllime të mira, vlerësohet vërtet”, shtoi tifozi.

Ish-sulmuesi i Swansea City, Marseille dhe Francës, Bafetimbi Gomis është një jomusliman, por është një nga të huajt më të nderuar që ka luajtur në vend. Krahas golave për Al Hilal nga viti 2018-22, Gomis është fotografuar i veshur me veshjen tradicionale arabe, duke pirë kahwa (kafe të Lindjes së Mesme) dhe duke postuar në lidhje me vizitat në qytete të ndryshme të vendit në llogaritë e tij në mediat sociale.

Në mënyrë të ngjashme, lojtari brazilian Elton kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij në mbretëri, duke luajtur për katër klube saudite midis 2007 dhe 2020, dhe gjithashtu zhvilloi një ndjekës të ngjashëm me kultin. Pasi filloi karrierën e tij me Corinthians të Rio de Zhaneiros, përqafimi i përzemërt i kulturës saudite nga ana e Elton-it, madje edhe duke mësuar arabisht, që atëherë e ka parë atë të marrë emrin “Elton Arabia”.

Megjithatë, Al-Habsi beson se futbollistët myslimanë mund të gjejnë një ndjenjë më të thellë kënaqësie kur janë jashtë mbretërisë.

“Për lojtarët, mënyra e jetesës nuk është me të vërtetë aq e ndryshme kudo që të shkoni”, thotë ai. “Futbolli është futboll”.

“Në të vërtetë më pëlqente më shumë në Evropë, sepse përfaqësoja lojtarët myslimanë. Kur luan jashtë vendit, përfaqëson veten si musliman. Më duhej t’ia tregoja botës dhe kjo ishte një gjë e bukur”, theksoi ai.

“Ewood Park” (Ahmed Khalifa)

Lajmi i mirë për ata që duan të bëjnë të njëjtën gjë si Al-Habsi është se vitet e fundit janë parë hapa të rëndësishëm drejt përshtatjes së nevojave të lojtarëve myslimanë në Perëndim, veçanërisht në Angli.

Tani ka mbi 40 lojtarë myslimanë në Premier League dhe klubet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar po plotësojnë gjithnjë e më shumë nevojat e lojtarëve myslimanë.

Organizata të tilla si “Nujum Sports”, e cila mbështet atletët myslimanë, ndihmuan Queens Park Rangers të Londrës perëndimore të bëhet klubi i parë anglez që organizoi lutjet e xhumasë (të premten) për lojtarët dhe stafin e tyre vitin e kaluar.

Që atëherë skuadra të tjera, përfshirë Manchester City-n, kanë ndjekur shembullin ndërsa Blackburn Rovers përdori fushën e tyre në “Ewood Park” për të mbledhur qindra myslimanë për faljen e Bajramit.

Al-Habsi ishte ndër lojtarët e parë arabë që luajti në Premier League kur iu bashkua Bolton Wanderers në 2006, pasi kishte lënë Omanin e tij të lindjes për tre vjet në Norvegji përpara se të arrinte në Angli.

“Çdo klub ku shkoja, ata siguroheshin që të kisha gjërat e duhura për mua, qoftë për t’u siguruar që të kisha ushqim hallall apo për lutje”, thotë ai. “Kudo që shkoja dhe pata mundësinë të luaja në stadiume të mëdha si ‘Wembley’ dhe ‘Old Trafford’, ata u siguruan që unë të kisha një vend për të praktikuar fenë time”.

“Ne kemi shumë lojtarë myslimanë në Premier League tani dhe ata e respektojnë veten. Kjo është arsyeja pse, për shembull, Premier League pushoi së dhuruari shampanjë si lojtari i ndeshjes. Nëse nuk do ta respektonin veten, askush nuk do të kujdesej për ta”, vijoi ai.

Në vitin 2021, Premier League ra dakord të lejojë që ndeshjet të ndërpriten shkurtimisht gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, në mënyrë që lojtarët myslimanë të mund të prishin agjërimin e tyre në perëndim të diellit. Në të gjithë Evropën, megjithatë, mbetet një qasje e kontrolluar ndaj akomodimit të lojtarëve myslimanë si kjo gjatë Ramazanit.

Ngjashëm me Mbretërinë e Bashkuar, Holanda lejoi që ndeshjet të ndërpriteshin. Në Gjermani, lihet në diskrecionin e gjyqtarëve individualë pa një politikë të zyrtarizuar. Federata Franceze e Futbollit, megjithatë, u dërgoi një mesazh gjyqtarëve të saj sezonin e kaluar duke ndaluar ndërprerjet e ndeshjeve për lojtarët për të prishur agjërimin.

“Këto ndërprerje nuk respektojnë dispozitat e statutit të FFF-së”, thuhet në deklaratë.

Për më tepër, klubi francez i ligës së lartë Nantes hoqi dorë nga mbrojtësi algjerian Jaouen Hadjam në prill të këtij viti, sepse ai refuzoi të ndalonte agjërimin. “Ky nuk është një ndëshkim”, tha menaxheri i Nantes, Antoine Kombouare kur shpjegoi vendimin. “Unë vendos rregulla. Është zgjedhja e tij dhe unë e respektoj atë”.

Dhe muajin e kaluar, një gjykatë në Francë vendosi gjithashtu në favor të vendimit të Federatës Franceze të Futbollit (FFF) për të ndaluar lojtarët femra që zgjedhin të mbajnë shaminë islame gjatë ndeshjeve.

Dr Sogut thotë se ndërsa ka shembuj të shkëlqyer të trajnerëve dhe klubeve gjithëpërfshirëse, kjo nuk është universale dhe thotë se lojtarët do të flasin se cilat mjedise janë mikpritëse për myslimanët.

“Kjo varet nga njerëzit që drejtojnë klubin dhe çfarë lloj mirëkuptimi kanë ata”, thotë ai. “Një shembull i shkëlqyer është (trajneri i Liverpool) Jurgen Klopp. Ai u jep lojtarëve myslimanë hapësirën për të falur namazin, për të prishur agjërimin gjatë stërvitjes, ai ka atë nivel të mirëkuptimit. Për të, kjo nuk është kurrë një problem”.

“Por ka disa të tjerë që nuk e kanë këtë. Ata mund të mos jenë aq të hapur ose ndoshta nuk e kuptojnë sepse ka pasur një pasqyrë kaq të dobët të Islamit të krijuar vitet e fundit në Evropë, kështu që njerëzit thjesht mendojnë, ‘Oh jo, kjo është e keqe’”.

“Është gjithashtu një ndryshim nëse ka lojtarë të tjerë myslimanë në të njëjtin klub. Për shembull, ata u thonë të tjerëve: ‘Ky trajner është shumë miqësor për lojtarët myslimanë, kështu që ju mund ta jetoni fenë tuaj në paqe’”, theksoi Sogut.

Në Arabinë Saudite, i gjithë kombi ndryshon orarin e tij gjatë muajit të Ramazanit dhe futbolli nuk bën përjashtim. Stërvitja mbahet natën dhe ndeshjet shpesh fillojnë deri në orën 22:00 sipas kohës lokale.

Normalisht, ndeshjet nuk ndodhin gjithsesi gjatë pasditeve në temperaturat e larta dhe u caktuan rreth ezanit (thirrja e namazit), për t’u siguruar që ai të vinte ose para fillimit ose në pjesën e parë. Çdo stadium përfshin gjithashtu një seksion lutjeje brenda terrenit, ose ka një xhami fqinje, megjithëse nuk ka objekte të tilla për fetë e tjera.

Si pjesë e ndikimit klerik, shteti deklaroi në vitin 2021 se bizneset mund të qëndronin të hapura gjatë pesë namazeve ditore, duke hequr të vetmen mbyllje të detyrueshme të botës myslimane gjatë kohës së lutjeve.

Ndeshjet e futbollit ishin planifikuar tradicionalisht në çdo qytet rreth kohës së tyre përkatëse të lutjes, për të siguruar që lutjet e mbrëmjes së Magrebit ose namazet e jacisë gjatë natës të bëheshin ose përpara fillimit të lojërave ose gjatë pjesës së parë. Kjo shkaktoi vështirësi në planifikim, pasi kohët e lutjes bazohen në kalendarin hënor dhe ndryshojnë vazhdimisht.

Prandaj, për sezonin që do të fillojë, SPL ka vendosur orare fikse fillimi në orën 18:00 dhe 21:00 gjatë muajve të verës (gusht-tetor dhe mars deri në maj), me orën 15:00 që fillon të shtohet gjatë muajve më të ftohtë të dimrit (nëntor deri në shkurt).

Disa ndeshje sezonin e kaluar u përplasën me thirrje lutjesh dhe një mbështetës e përshkroi atë si krijimin e një “përvojëje pak të vështirë” pasi një numër i madh njerëzish ishin të pasigurt se si të përgjigjeshin. Me ambiciet e Arabisë Saudite që SPL të bëhet një ligë e shikuar globalisht, këto fillime fikse synojnë gjithashtu t’i bëjnë oraret më të këndshme për audiencën televizive evropiane, pasi transmetuesit ndërkombëtarë zakonisht planifikojnë lojëra në periudha të qëndrueshme kohore. SPL aktualisht po diskuton marrëveshje të ndryshme televizive globale për sezonin e ri.

Kjo situatë pasqyron një shoqëri që po përshtatet vazhdimisht me reformat sociale me pak hapësirë për pyetje dhe në të cilën disa zakone të vjetra nuk duken më të zbatueshme.

Ndërsa Benzema foli për rëndësinë e besimit të tij në lëvizjen në Arabinë Saudite, nuk ka pasur mungesë të lojtarëve jomuslimanë që kanë ardhur, me kapitenin e Liverpool dhe mesfushorin e Anglisë, Jordan Henderson, duke nënshkruar për Al Ettifaq, një klub në Dammam, klubi i katërt më i madh në mbretëri.  Klubi i menaxhuar nga ish-shoku i tij i skuadrës në “Anfield”, Steven Gerrard.

Në mënyrë të ngjashme, mesfushori i Inter-it, Marcelo Brozovic, i cili ishte kapiten i atij klubi në humbjen e fundit të Champions League nga Manchester City, i është bashkuar Cristiano Ronaldo-s te Al Nassr në Riad.

Fokusi kryesor janë paratë që i ndryshojnë pamjen një oferte. Oferta e Henderson u përshkrua si një shumë “e frikshme”, rreth katërfishi i asaj që ai fitonte në Premier League, por Arabia Saudite gjithashtu ka një shkallë të ulët krimi dhe kulturë nate.

Më të pasurit në shoqëri atje priren të jetojnë në komplekse të mbrojtura.

Kompleksi Al Muhammadiyah në Riad, për shembull, është një vendbanim popullor për futbollistët. Për lojtarët dhe familjet që pinë alkool, kombi fqinj i Bahreinit, më pak se një orë me makinë nga Dammam, dhe Dubai (një fluturim dy orë nga Riadi), kanë qenë gjithashtu opsione për të banuar.

Ndryshe nga stilet e jetesës evropiane, për shkak të nxehtësisë së madhe, stilet e jetesës në Lindjen e Mesme priren të jenë të natës.

“Ndryshon nga qyteti në qytet, por në Riad, njerëzve këtu u pëlqen të rrinë zgjuar deri vonë”, thotë Abdulaziz, një banor i kryeqytetit saudit. “Nëse dilni në orën 4 të mëngjesit, do t’i gjeni ende rrugët pak të mbushura me njerëz. Kjo ndodh sepse ekziston një kulturë e fortë e qëndrimit në kafene dhe restorante. Ju shpesh shihni futbollistë edhe në vendet më të bukura”.

Pas transferimit të Ronaldo-s në Arabinë Saudite në janar, raportet e mediave në Spanjë sugjeruan se qeveria saudite kishte bërë dispozita specifike për të lejuar portugezin të jetonte me partneren e tij Georgina Rodriguez, duke shmangur ndalimin e çifteve të pamartuara që bashkëjetojnë.

Megjithatë, në vend që Ronaldo të merrte privilegje të veçanta, shumë nga njerëzit me të cilët foli “The Athletic” thanë se autoritetet e mbretërisë e kanë zbutur shumë zbatimin e zakoneve të tilla, të cilat rrjedhin nga një periudhë më konservatore kohore, mbi banorët e saj.

Ata thonë se kjo është kryesisht rezultat i zhveshjes së rëndë të pushtetit nga policia fetare.

Për shembull, në një takim publik të vitit 2010, drejtori i komitetit të policisë deklaroi se ishte përgjegjës për çrrënjosjen e “sjelljes së gabuar që prek shoqërinë, si pirja e alkoolit, magjia, imoraliteti dhe homoseksualiteti”. Në vitin 2016, forca policore u ndalua me dekret mbretëror nga ndjekja, marrja në pyetje ose ndalimi i kujtdo që dyshohej për një krim, duke ulur ndjeshëm ndikimin e saj në jetën shoqërore saudite.

Kjo pasqyron një ndjenjë në rritje të liberalizimit në mbretëri. Ritmi i ndryshimit social të vendit është i vështirë për t’u kuptuar plotësisht nga ata brenda dhe jashtë tij, por nuk shtrihet në të gjitha fushat e jetës. Së bashku me shtypjen e mospajtimit politik, mbetet hapësirë e konsiderueshme për përmirësim në drejtim të të drejtave LGBTQI+.

Njerëzit me të cilët “The Athletic” ka folur për këtë raport thonë se qasja “me një sy qorr” e shtetit shtrihet në shprehjet e seksualitetit pas dyerve të mbyllura, megjithëse intimiteti publik dënohet si për çiftet heteroseksualë ashtu edhe për çiftet LGBTQ+.

Qeveria saudite njoftoi në maj se vizitorët LGBTQI+ janë të mirëpritur si turistë, por Human Rights Watch raportoi se gjyqtarët në vendin e Gjirit, i cili nuk ka ligje të shkruara në lidhje me orientimin seksual ose identitetin gjinor, vazhdojnë të përdorin parimet e ligjit të kodifikuar të Sheriatit për të sanksionuar njerëzit e dyshuar për lidhje të të njëjtit seks.

Në vitin 2021, “The Athletic” foli drejtpërdrejt me sauditët LGBTQI+, të cilët ngritën shqetësime të rënda për shmangien dhe keqtrajtimin shoqëror nga autoritetet.

Një tjetër element i spikatur në transformimin e shoqërisë saudite që mund të jetë në mendjet e lojtarëve që konsiderojnë një lëvizje atje me familjet e tyre ka qenë trajtimi i grave. Mbretëria zotëronte historikisht një sistem të rreptë të kujdestarisë mashkullore që është ndryshuar përmes një sërë reformash të prezantuara që nga viti 2017, duke përfshirë heqjen e rregulloreve të veshjes dhe ndarjen e detyrueshme gjinore.

Disa reforma kanë marrë kritika nga aktivistët ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut.

Për shembull, ndërsa një Ligj i Statusit Personal u prezantua në vitin 2022 që u jepte grave lirinë ligjore për të vendosur se me kë do të martoheshin, “Amnesty International” i përshkroi ndryshimet si “kodifikuese të diskriminimit ndaj grave në shumicën e aspekteve të jetës familjare”. Kjo është për shkak se vetëm burrat mund të jenë kujdestarë ligjorë dhe gjithashtu projektligji nuk u bë publik përpara se të miratohej, duke mos u ofruar aktivistëve të të drejtave të grave vend për të ofruar kontribut.

Sadio Mane (Image Credit: beIN SPORTS/Twitter & Alamy)

Si pjesë e lëvizjeve drejt përfshirjes së grave në fuqinë punëtore dhe shoqëri, ndalimi i femrave për të ndjekur ndeshjet e futbollit u hoq në vitin 2018. Interesi i grave për këtë sport, megjithatë, ka qenë i gjatë.

“Kam pasur një studente doktorature që po bënte punë në terren në Arabinë Saudite rreth vitit 2013”, thotë Taustad. “Ajo pa aktivitetin nëntokësor të futbollit për femrat, ku ato hidhnin një lloj këpuce futbolli nga dritarja dhe u thoshin të tjerëve, ‘do të takoj një shoqe’ përpara se të organizonin fshehurazi ndeshje futbolli”.

“Pra, ishte e pashmangshme që, ndërsa futbolli po bëhej gjithnjë e më popullor, ai do të bëhej gjithashtu i popullarizuar në mesin e femrave në Arabinë Saudite”, rrëfen profesori norvegjez.

Shteti saudit zhvilloi më pas një ligë vendase të grave në 2019 dhe një ekip kombëtar i grave u formua në 2021, por skeptikët argumentojnë se integrimi i grave është pjesë e përpjekjeve për legjitimitet politik të lidhur me organizimin potencial të një turneu të madh ndërkombëtar, siç është Kupa e Botës.

Për shembull, pas reagimit të konsiderueshëm nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar në përgatitjen e Lojërave Olimpike të 2012-ës, mbretëria dërgoi dy atletet e para femra për të konkurruar në Lojërat atë vit.

“Do të ishte shumë interesante nëse ata marrin ofertën (Kupën e Botës) në 2030”, thotë Taustad.

“Ideja ime për ‘larjen e sporteve’ është, në një farë mënyre, se ngjarjet sportive në shkallë të gjerë ndonjëherë mund të kenë efektin e kundërt, ju duhet të tregoni edhe rrobat tuaja të pista”, vijoi ai.

Ndërsa përparimi shoqëror mund të jetë i pabarabartë dhe i vështirë për t’u vlerësuar, në një vend që vazhdon të përshtatet me një përmbysje të paprecedentë të zakoneve tradicionale, roli kryesor i futbollit është i pamohueshëm.

Kapitulli i fundit për sportin në Arabinë Saudite është një udhëtim në një territor të paeksploruar, por një teori është se shpenzimet e fundit të bollshme të SPL-së janë po aq të dizajnuara për të inkurajuar të rinjtë e vendit të qëndrojnë në mbretëri, sa edhe për të sjellë më të mirët e lojës, myslimanë dhe jomuslimanë.

Sipas regjistrimit të tij të vitit 2022, 42 për qind e popullsisë 32.2 milionëshe të vendit përbëhet nga shtetas të huaj, ndërsa 63 për qind e sauditëve janë të moshës nën 30 vjeç.

“Kupa Botërore e Katarit (vitin e kaluar) shfaqi një formë post-islamizmi që është ende fetar, por jo fundamentalist”, thotë Taustad. “Është një formë centriste e Islamit që ka një tërheqje shumë më të gjerë në komunitetin global mysliman dhe gjithashtu jashtë tij. Dhe këtu po shkon edhe Arabia Saudite”.

“Përpara MBS dhe Vision 2030 (një program qeveritar diversifikimi), të rinjtë sauditë shkuan jashtë vendit për t’u argëtuar. Ata shpenzonin miliarda në vit për pushime dhe argëtim në Dubai dhe Evropë”.

“Vendosja e muslimanëve perëndimorë në Arabinë Saudite sinjalizon se batica po kthehet. Tani, Arabia Saudite është vendi ku perëndimorët myslimanë jo vetëm shkojnë për të luajtur futboll dhe për të fituar para, por edhe për të shijuar jetën”.

“Dhe të rinjtë sauditë nuk kanë më nevojë të shkojnë jashtë vendit për t’u argëtuar, ata mund t’i shpenzojnë paratë e tyre në shtëpi”, thekson ai.

Epoka e re e Ligës Pro të Arabisë Saudite fillon të premten e ardhshme, më 11 gusht, në Xhedah, kur një skuadër e Al Ahli me ish lojtarët e Premier League Mahrez, Mendy, Roberto Firmino dhe Allan Saint-Maximin, të saponënshkruar, të përballet me Al Hazemi.

Tre ditë më vonë, tifozët e Al Ittihad do të jenë në gjendje të shohin Benzema-n, potencialisht i rrethuar nga Kante dhe ish-mesfushori i Liverpool, Fabinho, të luajë për kampionët ndaj Al Raed.

Asortimenti i ri i yjeve botërorë të ligës ka të ngjarë të ketë qenë një fantazi video-lojërash për shumë nga të rinjtë e çmendur nga futbolli saudit vetëm dy muaj më parë. Dhe ndërsa bota shikon nga afër, vendasit duken të gatshëm të bëjnë një hap të verbër besimi.

“Ende nuk mund ta besoj, për të qenë i sinqertë”, thotë fansi Abdulaziz nga Riadi. “Ndjehet si një ëndërr derisa të arrijmë ta shohim atë”.

 

Marrë nga The Athletic, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore