Lajme

Rohde thotë se Gjermania do ta përcjellë nga afër Projektligjin e ri për KPM-në


Jorn Rohde

Me Projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur për Media, Qeveria e Kosovës, në mënyrë indirekte përmes KPM-së do t’i kontrollojë, t’i monitorojë dhe në rast nevoje edhe t’i ndëshkojë mediat online që ofrojnë përmbajtje të videove, prandaj ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka paralajmëruar se Berlini zyrtar do të përcjellë nga afër se çfarë do të ndodhë me këtë ligj.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në X, Rohde ka thënë çdo ndikim në pavarësinë e medias duhet shmangur.

Ai madje ka njoftuar se Shefi i Medias dhe i Komunikimit në Ambasadën e Gjermanisë, këtë të mërkurë, ka takuar anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media ku ndër të tjera është diskutuar për Projektligjin e ri për KPM dhe sfidat aktuale me të cilat po përballet KPM.

Në Kosovë KPM deri më tani ka rregulluar televizionet, radiot dhe operatorët kabllor ndërkaq mediat e shkruara/online janë vetë-rregulluar nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës – një praktik e përhapur gjithandej në rajon e Evropë.

Por, një gjë e tillë do të ndryshojë në momentin që iniciativa ligjore e hartuar nga ekzekutivi kosovar të hyjë në fuqi në Kuvend me votën e deputetëve.

Ngase mediat online, do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror e paraparë në nenin 24 të Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media.

Një ndryshim i tillë u cilësua si “radikale” nga ana e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili kërkoi që Qeveria të heqë dorë nga ky projektligj, ngase sipas AGK-së, ky projektligj është “tentativë” për kontroll shtetëror të mediave online.

Me projektligjin në fjalë mediat online përveç licencimit shtetëror do të detyrohen edhe të regjistrohen në regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja.

Mediat online, sipas kësaj iniciative ligjore, do të mund edhe të gjobiten deri në 40 mijë euro, gjobë kjo që sipas AGK-së mund të arrijë të mbyllë secilin medium online që operon në Kosovë.

“Ndëshkimi i mediave online” – çfarë po provon të bëjë qeveria me projektligjin e ri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore