Kosova

Rohde kërkon që të ndalen sulmet politike ndaj Gjykatës Kushtetuese


Ambasadori gjerman Jorn Rohde.

Përveç shefit të zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, që sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese të ndalen, një kërkesë të ngjashme e ka bërë edhe ambasadori gjerman Jorn Rohde.

Përmes një shkrimi në platformën ‘X’, Rohde ka thënë se Gjykata duhet të jetë e pavarur dhe e lirë nga ndikimi dhe presioni politik.

“Ndaj edhe këtu shqetësimin e kolegut tim të BE-së. Sundimi i ligjit nuk e hap as rrugën drejt Këshillit të Evropës e as Bashkimit Evropian! Mbështetja e Kosovës në rrugën e saj të integrimit evropian është e përzemërt, por edhe Kosova duhet të bëjë pjesën e saj”, ka shkruar Rohde.

Më 23 janar, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i shoqëruar nga Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano të martën ka takuar Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani.

Szunyog, njoftoi se me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese kanë diskutuar edhe për pavarësinë e këtij institucioni.

“Theksova se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e pavarure dhe e lirë nga ndikimi dhe presioni politik. Për të ruajtur pavarësinë e gjyqësorit, është thelbësore Qeveria të përmbahet nga deklaratat që rrezikojnë të cenojnë autoritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe besimin e publikut në të”.

Ai ka shtuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht përfshirë edhe aktgjykimin e datës 19 maj 2016 për çështjen e Manastirit të Deçanit.

Raporti i organizatës ndërkombëtare, Transparency International (TI), për vitin 2022 i cili ishte publikuar në shkurt të 2023-ës, ka vlerësuar se Kosova ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit me 41 pikë, mirëpo pavarësisht kësaj shteti vazhdon të ketë ngecje të shumta.

Ky raport theks të veçantë i ka vendosur ndërhyrjes së pushtetit në sistemin e drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore