Rohde: Gjermania e do Kosovën në Këshill të Evropës, por duhet të lëvizë drejt Asociacionit

SHFLETO

Jorn Rohde

 

Armat Matoshi
03.06.2024 15:38
Loading Icons...

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, deklaroi se pavarësisht që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk pati gatishmëri që ta përfshijë Kosovën në agjendën e votimit të 17 majit, mbetet e hapur mundësia që Kosova së shpejti të bëhet anëtare e organizatës lidere për të drejtat e njeriut, nëse i plotëson kërkesat e aleatëve e miqve të Kosovës.

Rohde nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hënën përsërti se shteti që ai përfaqëson mbetet i përkushtuar për ta sjellë Kosovën në Këshill të Evropës sa më shpejt, por shtoi se autoritetet kosovare duhet të lëvizin përpara drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne mbështesim projektin e përbashkët të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizjes FOL për të përmirësuar qasjen në drejtësi në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës. Gjermania mbetet e përkushtuar për ta sjellë Kosovën në Këshill të Evropës sa më shpejt. Ecja përpara me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe do ta bëjë këtë të ndodhë”.

Kërkesa e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës nuk u mor parasysh nga Komiteti i Ministrave – organi vendimmarrës i organizatës – pavarësisht letërzotimit të shefes së diplomacisë kosovare, kryesisht për shkak se Gjermania, Franca dhe Italia, vendosën kusht që Kosova të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova u mbështet nga shumica e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta evropiane. Por, rruga e vendit të vogël ballkanik devoji krejt në fund, duke bërë që anëtarësimi në këtë organizatë të rëndësishme të shtyhet për të paktën një vit, nëse jo më shumë.