Lajme

Rohde dhe Guerot: Kurti të propozojë vetë diçka për Asociacionin, një nga opsionet është edhe drafti i Ramës


Jorn Rhode dhe Olivier Guerot

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode dhe ai i Francës, Olivier Guerot, në një intervistë të përbashkët për televizionin “Klan Kosova”, kanë folur për domosdoshmërinë e paraqitjes së një draft-statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbë në Kosovë.

Ndërsa kanë komentuar propozimet e deritashme për këtë mekanizëm madhor për serbët e Kosovës të paraqitur fillimisht nga fondacioni gjerman Friedrich Ebert dhe pastaj nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, ndonëse i kanë cilësuar si “opsione të mira”, kanë bërë me dije se presin nga Kosova të vendosë diçka të veten në tryezë.

“Kjo përfshin prezantimin formal të statutit për Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe shumë nga partnerët, OJQ-të dhe kryeministri fqinj kanë ofruar një propozim, por partneri kryesor dhe më i rëndësishëm nuk ka vendosur asgjë në tavolinë dhe kjo është Qeveria e Kosovës”, ka thënë ambasadori Rhode.

“Si diplomat, ndjenjat nuk janë pjesë e përshkrimit tim të punës, por e di se ka një nevojë urgjente që Qeveria e Kosovës të vendosë diçka në tavolinë, siç po i themi publikisht dhe drejtpërdrejt Qeverisë së Kosovës, jo vetëm kësaj, edhe atyre të kaluarave se është problem nëse nuk e bëni këtë”, ka shtuar ai.

E nëse Kosova dëshiron të njihet si një shtet normal në mesin e shteteve tjera, sipas ambasadorit Guerot, Kosova duhet të veprojë si shtet që vepron me shtetet tjera në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe t’u bindet obligimeve të ndërmarra në kuadër të dialogut.

“Kjo vërejtje nuk i drejtohet vetëm qeverisë aktuale, por edhe qeverive të kaluara që nuk kanë qenë aktive në këtë çështje, tani kemi një qeveri detyra e së cilës është të bëjë diçka për këtë. Më lejoni të shtoj se nuk duam që Kosova të jetë shtet jofunksional, ne e shohim një të ardhme të Kosovës brenda institucioneve euroatlantike”, tha ai.

“Ka mënyra për ta themeluar që do të forcojë kohezionin dhe funksionimin e mirë të Kosovës. Siç tha Jorni, ka pasur disa propozime që janë prezantuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, nga shtete fqinje. Një nga opsionet është edhe ai i prezantuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama”, shtoi Guerot.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet propozimi i draft-statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se e ka hartuar ekzekutivi kosovar, por – për arsye të panjohura – nuk po duan ta publikojnë.

Kosovës po i kërkohet që të fillojë urgjentisht zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjese Bazë për normalizmin e marrëdhënieve me Serbinë, me të cilën parashihet një “nivel i përshatshëm i vetëmenaxhimit/vetëqeverisjes” për komunitetin serb në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e përshkruajnë këtë si “detyrë urgjente” për Kosovën dhe një ndër “hapat ekzistencial” për aspiratat euro-atnantike të Kosovës. Tash, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po pritet hartimi i një draft-statuti për këtë pajisje për serbët e Kosovës.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i madh për serbët – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e tyre, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Autoritetet kosovare kanë frikë jo për atë që paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik, me theks të veçantë, frika nga krijimi i një modeli të ri të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore