Lajme

Roberts: Prokuroria fshehu deklaratën pro-Thaçi të Daan Everts-it


Avokati i ish-liderit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Geoffrey Roberts

Avokati i ish-liderit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Geoffrey Roberts, ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) se e ka fshehur një dokument shfajësues ndaj klientit të tij.

Roberts i është referuar deklaratës së ish-shefit të misionit të Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë(OSBE), Daan Everts, sipas të cilit veprimtaritë kriminale pas qershorit të vitit 1999, për të cilat po zhvillohet procesi gjyqësor, janë kryer nga individë që kërkonin një rast për të përfituar personalisht, dhe jo pjesë e një fushate të organizuar nga udhëheqja shqiptare.

Avokati Geoffrey Roberts

“Çfarë tjetër tha ai: ‘Për mendimin tim, do të ishte e pasaktë që të thuash se bëhet fjalë për nismë të organizuar sistematike dhe të nxirret përfundimi se është drejtuar nga lart. E shoh këtë situatë, si situatë pandëshkueshmërie të njerëzve që duan të kontrollojnë politikisht për përfitime personale’, citoi Daan Everts-in avokati Roberts.

Ai ka vazhduar tutje me citimin e ambasadorit për Thaçin, “Unë nuk shoh asnjë arsye apo motiv se pse Thaçi do të donte që UÇK-ja të kryente dhunë etnike sepse kjo do ta dëmtonte reputacionin e tij ndërkombëtar”.

“Pse i lanë jashtë ato pjesë që ishin shfajësuese? A ka ndonjë gjë më shfajësuese se sa kjo deklaratë e ambasadorit Everts të cilën ata e kanë ditur prej vitesh? Nëse ka, atëherë jemi në telashe të rënda”, shtoi Roberts duke u shprehur i shqetësuar se mund të ketë dokumente të tjera shfajësuese që prokuroria i di, por se mbrojtja jo.

Tutje avokati mbrojtës i Thaçit ka shtuar se prokuroria nuk i kishte dorëzuar dokumentet që sipas tij e shfajësojnë klientin e tij.

“Ndërsa ne po diskutonim provat, asgjë nga kjo nuk ju është dhënë juve z.Gjykatës, asgjë fare. Këtë informatë ata e kanë pasur në dorë prej katër vjetësh”.

Më tej avokati mbrojtës ka kontestuar besueshmërinë e ZPS-së, duke kërkuar një ekip të paanshëm që do t’i shqyrtonte të gjitha dokumentet, përfshirë ato shfajësuese.

“Cila është zgjidhja këtu? Ka vetëm një zgjidhje që ne e vëmë në tavolinë, që kontrolli përmes materialeve qoftë edhe margjinalisht shfajësuese duhet të bëhet nga një tribunal i paanshëm. Këtë nuk mund t’ia lëmë në dorë ZPS-së të cilës nuk ia zëmë besën”, tha ai.

“Specialja po e shkatërron sistemin ndërkombëtar të drejtësisë”

Avokati tjetër i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, i cili ka qenë edhe ambasador i Shteteve të Bashkuara për Çështjet e Krimeve të Luftës gjatë udhëheqjes së presidentit George W.Bush, në konferencën e sotme në Hagë, ka thënë se mbajtja e informacionit shfajësues për katër vjet nga ana e ZPS-së është një çështje që ka implikime të rënda.

Prosper tha se implikimet janë të tilla që shkatërrojnë dhe tundin themelet e sistemit ndërkombëtare të drejtësisë duke shtuar se këto deklarata po i bën si themelues dhe iniciues i shumë tribunaleve ndërkombëtare në vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Serbinë.

Avokati Pierre-Richard Prosper

“Këto tribunale mbështeten mbi besim. Ato mendohet se duhet të jenë standarde të arta për botën, model që duhet ta ndjekin sistemet e brendshme. Kombet, qeveritë vendosin besimin e tyre në këto procedura që duhet të jenë përtej dyshimit, që duhet t’i mbijetojnë shqyrtimit, qoftë politik, qoftë historik”.

“Kombe të tilla si Kosova kanë krijuar sovranitetin e tyre bazuar në këtë besim dhe vullnet të lirë – besimin e vërtetimin të së vërtetës. Këto duhet të operojnë me integritetin më të lartë dhe këtu në fakt ka ndodhur që prokuroria ka tradhtuar këtë besim”, ka thënë ai.

Prosper tutje ka deklaruar se ZPS e ka tradhtuar detyrën e vet për të provuar të vërtetën.

“Kur ju drejtuan juve [Gjykatës] për konfirmim u dha një gjysmë historie që na ka bërë të vijmë këtu ku jemi sot”.

“Në zellin e tyre për fitore dhe procedime, ata kanë humbur funksionin më kritik të Zyrës së Prokurorisë – ndjekja e së vërtetës. Përkundrazi, në vend se të lënë faktet që të çojnë në rezultate, ata vendosën që t’i shtrembërojnë faktet për qëllime të tyre. Është një shkelje e të drejtave të njeriut, nëse e shikojmë hollë-hollë”, është shprehur ai.

Ai tha se një precedent i tillë i krijuar në Dhomat e Specializuara rrezikon që edhe kombet e tjera të hezitojnë të ngritin tribunave.

“Prokuroria ka vepruar pa mbikëqyrje. Ke një prokurori që funksionin sipas tekeve të veta, duke nxjerrë materiale kur i do qejfi pa i dhënë llogari askujt, duke mbajtur informacion kritik shfajësues për katër vjet dhe duke mos iu dhënë as juve atë. Është mashtrim që ka nevojë të korrigjohet. Si guxoni ju të mbani të fshehtë informacion shfajësues kaq kritik?”, ka pyetur ai.

“Nëse lejohet të vazhdojë, cili vend në të ardhmen që ka logjikën e duhur do të binte dakord të krijojë një tribunal të tillë kur të mësojë sjelljen e mbajtjes së fshehtë të informacionet shfajësues, dhe kur nuk vërtetohet e vërteta, kur mashtrohet gjykata?. Kush do të donte të ishte pjesë e kësaj?”, ka pyetur Prosper.

Avokati mbrojtës ka përfunduar fjalën e tij duke thënë se kjo është një çështje shumë e madhe që duhet korrigjuar dhe se, nëse nuk ndodh kjo, “Dhomat e Specializuara e kanë humbur rrugën”, ka deklaruar Prosper.

 

Seanca e radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së caktohet më 24 mars

Seanca e radhës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është caktuar për 24 mars.

Ndërkaq, mbrojtja ka kërkuar që më 22 shkurt të mblidhen për çështjen e mbajtjes në paraburgim të tyre.

Megjithatë, gjyqtari Nicolas Guillou ka thënë se vendimi do të merret më pas për këtë.

“Do të takohemi përsëri më 24 mars dhe do t’ju informoj nëse do të mblidhemi për seancën më 22 shkurt, pasi të marr parashtrimet me shkrim të të gjitha palëve”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore