Kampionate

Robert Lewandowski thyen rekordin e Lionel Messit në Champions League


Robert Lewandowski

Robert Lewandowski u bë golashënuesi më i vjetër i Barcelona-s në një ndeshje eliminatore të Champions League kur shënoi kundër Napoli-t në fazën e 16-të të kompeticionit të mërkurën mbrëma.

Reprezentuesi polak realizoi në minutën e 60-të të ndeshjes së parë në Napoli, duke marrë një pasim nga Pedri përpara se ta dërgonte topin në fundin e rrjetës.

Në moshën 35 vjeç e 184 ditë, Lewandowski kaloi rekordin e mëparshëm që mbahej nga Lionel Messi, i cili kishte qenë golashënuesi më i vjetër i Barcelona-s në një ndeshje eliminatore në Champions League, falë golit të tij kundër Paris Saint-Germain në moshën 33 vjeç e 259 ditë në mars 2021.

Lewandowski është përballur me kritika për paraqitjet e tij gjatë sezonit 2023-24, por ai tani ka arritur 18 gola dhe gjashtë asistime në 34 paraqitje për klubin këtë sezon.

“Lewandowski është një lider natyral. Ai është në formë të shkëlqyer dhe po shënon gola. Ai po na ndihmon shumë”, tha trajneri i Barcelona-s, Xavi para gazetarëve pas përplasjes në Napoli.

“Kam një ndjenjë të hidhur. Duhet ta kishim fituar ndeshjen, ishte në duart tona. Ne luajtëm mirë. Në pjesën e parë ata nuk krijuan asnjë rast”.

“Nuk është një rezultat i keq, por ne luajtëm shumë më mirë. Nëse luajmë kështu në ndeshjen e dytë, duhet të jemi në gjendje të kalojmë”, theksoi spanjolli.

Ndërkaq, Lewandowski shtoi pas ndeshjes: “Mendoj se në pjesën e parë bëmë një lojë të mirë, ku duhej të kishim shënuar një ose dy gola. Pas golit tonë ne luajtëm pak në mbrojtje dhe ata na shënuan me rastin e parë që paten”.

“Ndihem shumë mirë, na duhet kohë për t’u përgatitur, kemi shumë potencial. Kemi dy javë të gjata për të punuar dhe përgatitur për të ardhmen”.

“Ne duam të bëjmë një hap përpara si ekip. Është e rëndësishme me përvojën time të jem në gjendje t’i ndihmoj këta lojtarë”, shtoi Lewa.

Barcelona do të tentojë të zgjasë ecurinë e saj të pamposhtur në të gjitha garat në gjashtë ndeshje kur do të presë Getafe-n në La Liga të shtunën pasdite.

Lamine Yamal shkruan historinë në Champions League

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore