Lajme

Robert F. Kennedy pezullon zyrtarisht kandidaturën Presidenciale, mbështet Trump


Emri i tij do të jetë ende në fletët e votimit, të cilat janë demokrate ose republikane. Por, në 10 shtete fushëbetejë, ku mund të vendoset edhe fati i Shtëpisë së Bardhë, ai do ta tërheqë kandidaturën e tij presidenciale.

Kështu ka bërë me dije Robert F. Kennedy, kandidati presidencial i pavarur në SHBA, pasardhës i familjes së famshme Kennedy, teksa tha në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp se ka kuptuar se ai nuk mund të fitojë rrugën e tij drejt Shtëpisë së Bardhë.

Gjatë një fjalimi të gjatë, Kennedy përmendi disa aspekte thelbësore se përse ai po pezullonte fushatën e tij të filluar në fillim të vitit, ku theksin kryesor e vendosi në “censurën e mediave tradicionale për vizionin e tij”.

“Dua që të gjithë ta dinë se nuk po e ndërpres fushatën time. Unë thjesht po e pezulloj dhe nuk e përfundoj atë”, tha RFK Jr.

“Emri im do të mbetet në fletën e votimit në shumicën e shteteve. Nëse jetoni në një shtet blu, ju mund të votoni për mua pa dëmtuar ose ndihmuar presidentin Trump ose zëvendëspresidenten Harris”, shtoi ai, duke thënë: “Në rreth 10 shtete të fushëbetejës ku prania ime do të ishte një prishje e garës, unë do të heq emrin tim dhe unë tashmë e kam filluar atë proces dhe u bëj thirrje votuesve të mos votojnë për mua”.

Po ashtu, ai pranoi se do të mbështesë fushatën e Trump tashmë për zgjedhjet presidenciale, duke përmendur si arsye kryesore për këtë pikëpamjet e Trump mbi “lirinë e fjalës, luftën e Ukrainë dhe situatën e fëmijëve dhe të rinjve në SHBA”.

Ai po ashtu falënderoi të gjithë ata, të cilët e kanë mbështetur në këtë betejë që ka zhvilluar deri tani, mbi të gjitha vullnetarët.

“Dua të falënderoj të gjithë ata vullnetarë të përkushtuar dhe të përgëzoj stafin e fushatës, që koordinoi këtë arritje të madhe logjistike,” tha RFK Jr, duke iu referuar kandidimit të tij presidencial.

Teksa, sa i takon Partisë Demokratike, në të cilën edhe familja e tij ka bërë pjesë për dekada me radhë, ai reflektoi zhgënjim, duke thënë se është kthyer në një parti të luftës, censurës, korrupsionit, farmaceutikëve dhe parave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore