Lajme

Rizvanolli: Telekomit do t’i ndahen 1 milion euro për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore


Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media bëri të ditur se Telekomit të Kosovës do t’i ndahen 1 milion euro në javët në vijim nga Qeveria e Kosovës për shtrirjen e rrjetit edhe në komunat veriore.

“Jemi duke shikuar të ndihmojmë Telekomin për të përballuar investimet kapitale për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore, një vlerë prej rreth 1 milion euro”.

Rizvanolli theksoi se në vitin 2023 do të fillojnë dy projekte të rëndësishme për mbështetjen e Telekomit.

“Gjatë vitit në vijim do të filloj zbatimi i dy projekteve me rëndësi, migrimi nga kodi i Monakos në kodin që Unioni i Telekomunikimit i ka dhënë Kosovës. Vala do të bëhet e Kosovës përfundimisht”.

“Dhe do të fillojë edhe modernizimi i rrjetit, qytetarët që nga marsi do të fillojnë t’i ndjejnë përmirësimet në shërbimet e Telekomit”, shtoi ajo.

Ndërkaq, ajo falënderoi inxhinierët e teknikët që po punojnë në zgjerim të rrjetit edhe në pjesën veriore të Kosovës.

“Një zhvillim ky që është përtej aspektit biznesor e të shërbimit, e që është dhe i shtrirjes së sovranitetit të institucioneve dhe ndërmarrjeve tona”.

“Jemi në një pikë të rëndësishme, ku një obligim i përbashkët për ta përmirësuar cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe për të shtrirë shërbimet e Telekomit në të gjithë vendin është duke u realizuar”.

“Në Telekom nuk ishte bërë asnjë investim në teknologji që nga 2015-a. Sot jemi para një momenti shumë më rëndësi, Telekomi është në fund të procesit të zëvendësimit rrënjësor të teknologjisë për telefoninë mobile, apo Vala siç e njohim”.

Gjithashtu, Rizvanolli u zotua se Qeveria do t’i qëndrojë përkrah Telekomit përballë sfidave që mund t’i ketë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore