Lajme

Rizvanolli: Lufta ndaj krimit të korrupsionit në Veri, ndali rritjen e konsumit të rrymës


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, lufta ndaj krimit të organizuar në Veri të Kosovës ka ndihmuar në ndaljen e rritjes së shpenzimeve të energjisë elektrike.

Rizvanolli është shprehur kështu përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, duke shpërndarë shkrimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Për shkak të operacioneve kundër kultivimit të drogës dhe mihjes së kriptovalutave, rritja jonormale e konsumit të energjisë që është parë viteve të fundit në katër komunat në veri të Kosovës, është ndalur”, ka shkruar Rizvanolli.

Sipas saj, “lufta ndaj krimit të organizuar shpaguhet në shumë mënyra”.

Ministrja ka publikuar një grafikon në të cilin në vitin 2022 ka 3 për qind rënie të konsumit të energjisë elektrike në këto komuna.

Më 12 shkurt, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se Policia e Kosovës ka identifikuar dhe shkatërruar dy laboratore droge në Mitrovicë të Veriut me ç’rast është arrestuar edhe pronari i këtij laboratori.

Ai përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, tha se bashkëpronari i laboratorit tashmë të shkatërruar është personi i cili sulmoi Policinë e Kosovës në Urën e Bistricës muajin e kaluar ndërsa njëri nga të arrestuarit në këtë operacion është edhe vëllau i tij.

“Pavarësisht angazhimeve të policisë, kriminelët ende po mendojnë se mund të vazhdojnë me shkeljen e ligjit dhe kundërligjshëm të pasurohen në kurriz të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve”.

“Këto pra janë strukturat kriminale që po i mbrojnë zellshëm Vuçiç e Petkoviç. Çdo tentativë e Serbisë që përmes bandave kriminale të destabilizojë Kosovën është e kotë dhe e dështuar”, kishte shkruar ai.

Ndryshe, Policia e Kosovës në fushën e parandalimit, hetimit dhe zbulimit të trafikimit me narkotikë edhe gjatë vitit të kaluar ka ndërmarrë disa operacione të suksesshme policore.

Në të cilat janë konfiskuar sasi e konsiderueshme e substancave të dyshuara narkotike, janë zbuluar laboratorë droge dhe janë arrestuar numër i madh i personave të dyshuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore