Kosova

Rizvanolli: 30 milionë euro po investohen në efiçencë të energjisë nga BE-ja


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur lansimin e “thirrjes publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje”, të financuar nga Bashkimi Evropian (BE), ku janë investuar 30 milionë euro.

Ajo ka sqaruar se qytetarët mund të aplikojnë për t’u pajisur me kallda me biomasë, stufa me biomasë, kondicioner dhe pompë termike.

“Këtë vit po investohen 30 milionë euro për qytetarët në efiçencë të energjisë dhe këtë po e bëjmë falë mbështetjes nga Bashkimi Evropian. Faza e parë mbetet e hapur deri më 2 tetor dhe deri më tani kemi pranuar 3 mijë e 600 aplikacione”, ka thënë Rizvanolli.

Ministrja, ka potencuar se nga masat e subvencionimit, rezultatet kanë qenë të mira, pasi që qytetarët kanë arritur të kursejnë energjinë falë pajisjeve efiçente.

Foto nga ministria e Ekonomisë.

Duke shtuar se këto janë hapa drejt anashkalimit të krizës energjetike.

“Në vazhdimësi të këtyre masave, sot po e lansojmë fazën e tretë, për subvencionim. Investimet në këtë fazë janë kyçe për të ruajtur efiçencën e energjisë dhe kjo masë është një hap drejt ruajtjes dhe përballjes me krizën energjetike”.

“Gjatë vitit të kaluar, familjet kosovare kanë arritur të kursejnë deri në 40 për qind të energjisë falë mbështetjeve të këtilla”.

Më 12 shtator, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se mbi 16 mijë familje kanë aplikuar për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike.

Edhe Bashkimi Evropian (BE), kishte mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për subvencionimin e faturës së energjisë elektrike për konsumatorët që konsiderohen të cenueshëm siç janë personat me aftësi të kufizuara, nënat vetushqyese dhe pensionistët që jetojnë vetëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore