Auto

Rivian njofton raundin e financimit prej 2.5 miliardë dollarë


Rivian, startup-i i makinave elektrike, ka njoftuar se ka mbyllur një raund prej 2.5 miliard dollarësh për mbledhjen e fondeve të udhëhequr nga investitorët Amazon.com Inc, Ford Motor Co dhe T. Rowe Price.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se njoftimi ka ardhur një ditë pasi kompania me bazë në Kaliforni ka zbuluar se po eksploronte ndërtimin e një fabrike të dytë të montimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke cituar burime anonime që kanë njohuri mbi çështjen, Reuters ka treguar se impianti i planifikuar i Rivian-it, i quajtur “Project Tera”, do të përfshijë prodhimin e qelizave të baterisë.

“Teksa jemi afër fillimit të prodhimit të automjeteve, është jetësore që të vazhdojmë të shikojmë përpara dhe të shtyhemi deri në fazën e ardhshme të rritjes së Rivian-it”, është shprehur në një deklaratë shefi ekzekutiv i kompanisë, R.J. Scaringe.

Ai ka vijuar se “ky infuzion i fondeve…lejon Rivian-in të shkallëzojë programe të reja të automjeteve, të zgjerojë gjurmën e objektit tonë të brendshëm dhe të furnizojë përhapjen e produkteve ndërkombëtare”.

Kompania, e cila aktualisht ka një fabrikë në Normal, Illinois, ka zbuluar se ka mbledhur afro 10.5 miliardë dollarë deri më tani. Dhe se do të kërkojë një vlerësim mbi 50 miliardë dollarë në një listim të mundshëm publik gjatë këtij viti.

Reuters shkruan se prodhuesit e automjeteve po garojnë për të zhvilluar makinat elektrike teksa Kina, Evropa dhe vendet e rajonet e tjera mandatojnë emetime më të ulëta të karbonit.

Kurse Rivian-i synon të konkurrojë kur të nxjerrë makinën e vet R1T dhe R1S SUV, si dhe një furgon të dorëzimit për Amazon-in.

Javën e kaluar, Scaringe ka thënë në një letër për klientët se COVID-19 kishte vonuar nisjen e automjeteve të saj. Lidhur me dorëzimet e para të modelit R1T, të planifikuar më parë për në muajin korrik, u shtynë në shtator teksa modeli R1S u vonua në vjeshtë.

Ai ka shtuar për Reuters nëntorin e kaluar se Rivian-i planifikoi të ndiqte tre automjetet fillestare me modele më të vogla të synuara në Kinë dhe Evropë, ku përfundimisht mund të ndërtojë automjete.

Përveç Amazon-it, Ford-it dhe fondeve të menaxhuara nga T. Rowe Price, raundi i financimit u drejtua gjithashtu nga D1 Capital Partners. Ai përfshiu edhe pjesëmarrjen nga Third Point, Fidelity Management and Research Co, Dragoneer Investment Group dhe Coatue.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore