Lajme

Rishi Sunak bllokon legjislacionin e Skocisë për njohjen e gjinisë


Qeveria e Rishi Sunak ka bllokuar legjislacionin e miratuar nga parlamenti skocez për të futur një sistem vetëidentifikimi për njerëzit që duan të ndryshojnë gjininë.

Sekretari skocez, Alister Jack, ka njoftuar se do të përdorte seksionin 35 të Aktit të Skocisë 1998 për herë të parë për të ndaluar projektligjin e njohjes gjinore pas një rishikimi nga avokatët e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Sakaq, vendimi i Westminster-it për të përdorur opsionin e bllokimit të projektligjit për miratim përfaqëson një përshkallëzim të tensioneve rreth ndryshimeve.

Po ashtu pritet të zemërojë mbështetësit e këtyre ndryshimeve.

Ministrat e Mbretërisë së Bashkuar, të cilët u takuan në Westminster për të shqyrtuar se si t’i qasen legjislacionit, janë të shqetësuar se projektligji do të ketë një “ndikim negativ” në ligjin e barazive në mbarë Mbretërinë e Bashkuar.

Nicola Sturgeon ka thënë se nuk kishte “asnjë bazë” që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të bllokonte legjislacionin, duke pretenduar se nuk ndikon në funksionimin e Aktit të Barazisë.

Ministrja skoceze ka thënë se qeveria e saj ka të ngjarë të ngrejë një sfidë ligjore si përgjigje, duke thënë se përdorimi i seksionit 35 do të inkurajonte qeverinë britanike të bënte të njëjtën gjë në fusha të tjera.

“Ky është një sulm i plotë ndaj parlamentit tonë skocez të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe është aftësia e tij për të marrë vendimet e veta për çështjet e transferuara. Qeveria skoceze do ta mbrojë legjislacionin dhe do të ngrihet për parlamentin e Skocisë”, ka shtuar ajo.

Ligji, i propozuar për herë të parë nga Sturgeon gjashtë vjet më parë, u miratua nga parlamenti skocez me 86 vota kundër 39 kundër, pas vitesh konsultimesh dhe debatesh.

Gjatë procesit të projektligjit, i cili kulmoi me një seancë të paprecedentë dyditore, u ngritën gjithashtu pyetje se si legjislacioni i ri do të ndikonte në mbarë Mbretërinë e Bashkuar.

Ky u bë një shqetësim i veçantë pas një vendimi nga gjykata më e lartë e Skocisë, vetëm disa javë përpara votimit përfundimtar, që vendosi se – për qëllimet e Aktit të Barazisë të vitit 2010 – kuptimi i gjinisë duhet të përfshijë gratë transgjinore.

Legjislacioni do ta bënte më të lehtë për personat transgjinorë marrjen e certifikatave zyrtare të njohjes gjinore, duke përfshirë reduktimin e kohës së pritjes, heqjen e nevojës për një diagnozë mjekësore dhe uljen e moshës minimale nga 18 në 16 vjeç.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore