Shqipëria

Rinas/ Arrestohen dy sirianë, njëri i shpallur në kërkim ndërkombëtar


Policia e Tiranës ka bërë me dije se ka ndaluar një shtetas sirian, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe një shtetase siriane, e cila tentoi të dilte nga Shqipëria, me dokumente të falsifikuara.

Shërbimet e Policisë bëjnë me dije se gjatë kontrollit të detajuar të dokumentacionit të shtetasve që hyjnë nga Shqipëria, nëpërmjet aeroportit të Rinasit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën kanë ndaluar shtetasin sirian W. A., 42 vjeç.

42-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Abu Dhabi, për veprën penale “Mashtrime financiare”, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.

“U bë arrestimi provizor i 42-vjeçarit, me qëllim ekstradimin e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe”, shkruhet në njoftimin e Policisë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të dokumentacionit të shtetasve që dalin nga Shqipëria, nëpërmjet aeroportit të Rinasit, shërbimet e Policisë kanë krijuar dyshime për një shtetase të huaj, e cila kishte paraqitur pasaportë estoneze.

Pas kontrollit në laboratorin e Policisë Kufitare ka rezultuar se pasaporta që kishte paraqitur shtetasja H. C. kishte të dhënat e një shtetaseje tjetër dhe kishte një vulë të kontrollit kufitar, të dyshuar të falsifikuar.

Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetases H. C., me shtetësi siriane, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore