Kampionate

Rikthehen kampionatet, katër sfidat e të premtes…


Pas ndeshjeve të Kupave të Evropës të luajtura në mesjavë, tani është koha të rikthehen ndeshjet e kampionateve. Nga një ndeshje do të luhet të premten në La Liga, Serie A, Bundesliga dhe Ligue 1.

Ndeshjet e të premes, së bashku me ato të fundjavës do të jenë të fundit për këtë fillim muaji, pasi do të jetë radha e kombëtareve.

La Liga, ndeshja hapëse e javës së tetë është ajo mes Athletic Bilbaos dhe Deportivo Alaves-it. Sfida do të luhet në “San Mames”, duke filluar nga ora 21:00.

Athletic ka 10 pikë në shtatë javët e para. Alaves-i vetëm tri pikë. Vendasit kanë nga një fitore, barazim dhe humbje në shtëpi. Për miqtë, në dy ndeshje të luajtura në transfertë, nuk ka asnjë pikë të grumbulluar.

Serie A, hap javën e shtatë me duelin Cagliari – Venezia. Ndeshja do të luhet në “Unipol Domus”, duke filluar nga ora 20:45.

Në gjashtë javët e para të kampionatit, Cagliari ka dy pikë të grumbulluara. Venezia ka arritur të marrë katër pikë. Vetëm Salernitana ka më pak pikë, një, se dy skuadrat e sipërpërmendura.

Vendasit e Cagliari-t nuk e kanë shijuar akoma fitoren e parë në shtëpi edhe pse kanë luajtur tre ndeshje. Venezia ka arritur një fitore në transfertë dhe tre humbje.

Bundesliga, java e shtatë hapet me përballjen mes Koln-it dhe Greuther Furth-it. Sfida do të luhet në “RheinEnergie”, duke filluar nga ora 20:30.

Në gjashtë javët e para, Koln-i ka grumbulluar nëntë pikë. Furth-i renditet në fundin e tabelës me vetëm një pikë.

Në tre ndeshje në shtëpi, Koln-i ka arritur dy fitore dhe një barazim. Furth-i në transfertë numëron tre humbje, në po kaq ndeshje.

Ligue 1, java e nëntë hapet me përballjen mes Lens-it dhe Reims-it. Ndeshja do të luhet në “Stade Bollaert-Delelis”, duke filluar nga ora 21:00.

Në tetë ndeshjet e para, Lens-i ka grumbulluar 14 pikë, duke u renditur në vendin e dytë pas PSG-së. Reims-i ka 10 pikë në renditje.

Në katër ndeshje në shtëpi, Lens-i ka arritur një fitore, një humbje dhe dy barazime. Reims-i në transfertë numëron statistika të njëjta me ato që ka Lens-i në shtëpi.

Kampionatet do të vijojnë me ndeshjet e tjera të javëve përkatëse të shtunën dhe të dielën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore