Lajme

Rihanna heq dorë nga padia kundër babait të saj


Këngëtarja e njohur me famë botërore, Rihanna, ka hequr dorë nga padia kundër babait të saj, vetëm një javë përpara se ata të takoheshin në gjykatë.

Ylli i pop -it kishte akuzuar të atin Ronald Fenty, për keqpërdorimin e emrit të saj në dobi të kompanisë së tij, për çka e paditi në vitin 2019, për reklama false dhe cenim të privatësisë.

Rasti do të dilte në gjyq më 22 shtator, por Rihanna u paraqit duke e hedhur poshtë çështjen të martën.

Asnjë arsye nuk u dha, por mediat amerikane raportojnë se ajo arriti një marrëveshje jashtë gjykatës me babanë e saj.

Rihanna, emri i plotë i së cilës është Robyn Rihanna Fenty, ngriti çështjen e saj ligjore dy vjet më parë, duke thënë: “Megjithëse Fenty është babai i Rihanna-s, ai nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë autoritet për të vepruar në emër të Rihanna-s”.

Ajo pretendoi se në vitin 2017, babai i saj dhe një burrë tjetër, Moisiu Perkins, krijuan një kompani të quajtur “Fenty Entertainment”, e cila, në mënyrë të përsëritur, pretendonte se ishte e lidhur me Rihanna-n.

Në dokumentet e gjykatës, avokatët e saj thanë: “Fenty dhe Perkins i kanë përdorur këto gënjeshtra si mashtrim, për të kërkuar miliona dollarë nga palët e treta”.

Ata pretenduan se “Fenty Entertainment” u përpoq të rezervonte një turne 15-ditor në Amerikën Latine me vlerë 15 milionë dollarë, si dhe shfaqje në Los Angeles dhe Las Vegas, pa dijeninë e Rihanna-s.

Për më tepër, ata pretenduan se Ronald Fenty po përpiqej të përfitonte nga marka tregtare “Fenty”, të cilën Rihanna e ka përdorur për disa sipërmarrje biznesi, përfshirë linjën e saj kozmetike shumë milionëshe, “Fenty Beauty”.

Këngëtarja, e cila është muzikantja më e pasur në botë, ka kohë që ka pasur një marrëdhënie të tensionuar me babanë e saj, i cili në të kaluarën ka luftuar me alkoolizmin dhe varësinë nga droga.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore