Lajme

Rezoluta e OKB-së për Srebrenicën ‘copëton’ koalicionin qeverisës në Mal të Zi


Millan Knezheviç dhe Andrija Mandiç

Kreu i Partisë Popullore Demokratike (DNP), Millan Knezheviç, njëherësh një nga liderët e koalicionit qeverisës “Për të Ardhmen e Malit të Zi (ZBCG)” pro-rus e pro-serb, parlajmëroi se DNP-ja do ta revokojë mbështetjen për qeverinë e kryeministrit malazez, Millojko Spajiç, pas miratimit të rezolutës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për gjenocidin në Srebrenicë.

“Kryesia e DNP-së dënon ashpër vendimin e Qeverisë së Malit të Zi për të votuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë. Vendimi jolegjitim i qeverisë pa konsultim me partnerët e koalicionit është krejtësisht kundër interesave kombëtare, shtetërore dhe politike të Malit të Zi”, shkroi Knezheviç në “Facebook” të dielen pasdite.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të enjten e 23 majit rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. E përveç Serbisë, vendet e rajonit – Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia – votuan në favor të rezolutës së sponsorizuar nga Gjermania e Ruanda për Srebrenicën.

Në legjislativin malazez, koalicioni pro-rus e pro-serb përfaqësohet nga 13 deputetë. ZBCG-ja është pjesë e koalicionit qeverisës nën drejtimin e lëvizjes centriste “Evropa Tani (PES)” të kryeministrit Spajiç. E nëse ZBCG-ja vendos të tërhiqet nga koalicioni, atëherë qeveria e 44-të s’do të ketë shumicën e nevojshme prej 81 deputetëve për të vazhduar mandatin.

Knezheviç shtoi ndër të tjera se duke mbështetur rezolutën, qeveria malazeze deklaroi se mbi 30 për qind e qytetarëve janë gjenocidalë. Megjithatë, qeveria e Malit të Zi kërkoi disa ndryshime shtesë në rezolutë, duke nënvizuar se përgjegjësia për gjenocidin, ku forcat serbe vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë në vitin 1995, nuk është e popullit serb.

ZBCG-ja i vendosi disa kushte PES-it dhe qeverisë së Spajiçit për të shqyrtuar kthimin në koalicion, duke përfshirë miratimin deri në fund të qershorit të një rezolute që deklaron se serbët janë gjithashtu viktima të gjenocidit në kampin e përqendrimit në Jasenovac gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu, ajo kërkoi një nisme për njohjen e gjuhës serbe si gjuhë zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore