Shqipëria

Revolta e Spaçit/ Një varr për katër të pushkatuarit, lokalizohet vendndodhja e eshtrave


𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫 𝐃𝐚𝐣𝐚, 𝐏𝐚𝐥 𝐙𝐞𝐟𝐢, 𝐃𝐞𝐫𝐯𝐢𝐬𝐡 𝐁𝐞𝐣𝐤𝐨 𝐝𝐡𝐞 𝐇𝐚𝐣𝐫𝐢 𝐏𝐚𝐬𝐡𝐚𝐣 – katër të pushkatuarit e Revoltës së Spaçit – mund të kenë së afërmi një varr ku familjarët të nderojnë kujtimin e tyre.

Grupi i punës në AIDSSH ka dal në këtë përfundim pas hetimit gjashtë mujor për verifikimin mbi vendvarrimet e dyshuara dhe qartësimin e fatit të 44 të zhdukurve, të vrarë ose të vdekur gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Spaçit.

Vendi i identifikuar ku ata mund të jenë varrosur, referuar raportit, ndodhet rreth 20 metër larg vendvarrimit të njohur të Shpalit.

Vendi i dyshuar është i pastruar dhe lehtësisht në të mund të bëhen kërkime apo dhe gërmime për eshtrat.

Lënia pa skica varri, hartë topografike, e të dhëna të tjera, nga autoritetet e kohës, ka qenë e qëllimshme.

Grupi i punës ka përcaktuar edhe koordinatat e sakta në lidhje me vendvarrimin e të pushkatuarit Ahmet Hoxha, dënuar me pushkatim, pas tentativës së arratisjes, në moshën 39 vjeçare, 20 vjet nga të cilat i kaloi në burg.

Trupat e të vrarëve dhe të vdekurve, të të arrestuarve dhe të dënuarve politikë në hetuesitë, kampet dhe burgjet e regjimit komunist në vitet 1945-1991, nuk u dorëzoheshin familjarëve.

Bëhet me dije se grupi i punës, për daljen në këtë përfundime, realizoi komunikim shkresor me institucione që kishin të dhëna rreth burgut të Spaçit; kërkim të thelluar në Arkivin e AIDSSH; bashkëpunoi me Drejtorinë e Arkivit në Ministrinë së Brendshme, për të dhëna rreth të ekzekutuarve, vrarëve, dhe të vdekurve në burgun e Spaçit, si dhe qartësimin e praktikave të ndjekura, të rregulloreve, urdhrave dhe udhëzimeve që kanë përcaktuar këto praktika.

Paralelisht u mblodhën dëshmi nga familjarë e të vrarëve dhe të vdekurve në Burgun e Spaçit, nga ish-punonjës të policisë, banorë të fshatit Spaç dhe ish-punonjës të lirë.

Po ashtu u mbajtën takime me përfaqësues të pushtetit lokal në Mirditë dhe Fusharrëz, u kryen këqyrje në vendvarrimet e njohura si pranë Kishës Katolike, Shpal, si dhe në vendet të cilat mendohen si vendvarrime të dyshuara për të vrarët dhe të vdekurit në Burgun e Spaçit.

Ndërkohë, me vendim të Autoritetit, raporti i është dërguar për veprim Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Përgjithshme, Bashkisë Mirditë, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Zyrës së ICMP-së Tiranë, për marrjen e masave në ruajtjen nga tjetërsimi i vendeve të dyshuara si dhe marrjen e hapave konkretë në përshkallëzimin e procesit të rikuperimit të eshtrave të personave të pushkatuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore