Lajme

Reuters: Nga 10 mijë vetura me targa ilegale, 4200 i kthyen në RKS – pjesa tjetër i regjistruan në Serbi


Ilustrim

Prestigjiozja britanike “Reuters”, këtë të shtune i ka kushtuar një artikull procesit të konvertimit të targave ilegale të serbëve të Kosovës në ato legale RKS – afati i të cilit përfundoi të premten – ku ka shkruar se nga 10 mijë vetura me targa ilegale, 4 mijë e 200 qytetarë i kanë konvertuar targat e tyre në RKS, ndërsa pjesa tjetër i kanë regjistruar në Serbi.

Këto të dhëna për agjencinë britanike të lajmeve i ka konfirmuar Policia e Kosovës.

“Sot nuk shohim në trafik makina me targa të vjetra”, ka thënë për “Reuters” zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“U kemi thënë oficerëve të policisë që në dy ditët në vijim duhet vetëm t’i paralajmërojnë drejtuesit e mjeteve, por duke filluar nga e hëna do t’i gjobisim apo edhe do t’u konfiskojmë automjetet”, ka shtuar ai.

Duke shpjeguar situatën, prestigjiozja britanike shkruan se “të mbështetur nga Beogradi, rreth 50,000 serbë etnikë që jetojnë në pjesën Veriore të vendit refuzojnë të njohin Kosovën dhe kanë përdorur targa makinash të regjistruara para vitit 1999, kur ajo ishte pjesë e Serbisë”.

Po ashtu, në këtë artikull theksohet fakti se Qeveria e Kosovës ka deklaruar se të premten ka përfunduar afati për konvertimin e targave, dhe se nuk do të ketë shtyrje tjetër, por edhe se të gjithë shoferët me targa të vjetra “do të penalizohen, me konfiskim të veturave të tyre”.

Pos kësaj, aty përmendet edhe vendimi i qeverisë për shtyrjen e afatit që e kishte bërë më 1 dhjetor, duke e zgjatur kështu për 15 dhjetor.

Ndryshe, të premten Policia e Kosovës ka njoftuar se 3 mijë e 400 targa të veturave të qytetarëtve serbë në Veri janë konvertuar nga ato ilegale në ato legale RKS. Me 800 targa që janë konvertuar më herët, tani numri total i atyre që kanë konvertuar targat në RKS, ka shkuar në 4 mijë e 200.

Afati për regjistrimin e targave do duhej të përfundonte më 1 dhjetor, por Qeveria e Kosovës kishte shtyrë afatin për konvertimin e targave ilegale serbe deri me 15 dhjetor për shkak të interesimit të madh të qytetarëve në katër komunat Veriore të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – për të kaluar nga targat ilegale serbe të lëshuara nga autoritetet e Serbisë në targat legale të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB).

Ky vendim ishte marrë pas një mbledhje elektronike, kishte njoftuar të enjten e javës së kaluar Qeveria e Kosovës, duke zgjatur kështu afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” edhe për 15 ditë të tjera, posaçërisht pas kërkesës së serbëve lokalë dhe interesimit të madh.

Drejtoria e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut i kishte kërkuar MPB-së që të shtynte afatin edhe për 15 ditë. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, kishte thënë për Albanian Post se një kërkesë e tillë ishte dërguar në adresën e ekzekutivit kosovar për shkak se të radhëve të gjata para qendrave për riregjistrimin e automjeteve.

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës, nisi zbatimin e vendimit për largimin e targave ilegale në Veri të Kosovës.

Për ta kundërshtuar këtë vendim, serbët në Veri të Kosovës vendosën barrikada.

Ngërçi në terren u zgjidh në tryezën e bisedimeve në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ilustrim.

Në fund të qershorit 2022, Qeveria e Kosovës, mori vendim për ri-regjistrimin e të gjitha automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia me akronimet për qytetet e Kosovës, si KM, PR, GL e kështu me radhë.

Me këtë vendim po ashtu parashihej që për personat me letërnjoftime serbe të lëshohet dokumenti hyrës/dalës, që ishte edhe masë reciproke ndaj Serbisë.

Në prag të fillimit të zbatimit të këtyre vendimeve, më 31 korrik, serbët ngritën sërish barrikada, të cilat megjithatë u hoqën një ditë më vonë për shkak se Kosova pranoi ta shtyjë zbatimin e tyre për 30 ditë.

Më 23 nëntor 2022, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targat që lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë.

Sipas marrëveshjes, Serbia pranoi që të mos lëshonte më targa të reja dhe Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte plani për ri-regjistrimin e makinave.

Megjithatë, të dyja palët më vonë e interpretuan ndryshe këtë marrëveshje.

Më 6 dhjetor 2022, Qeveria e Serbisë miratoi një dekret në bazë të të cilit automjetet me targa “KM” lejohen të lëvizin pa etiketë regjistrimi, gjegjësisht atyre u duhet t’i tregojnë zyrtarëve vetëm një policë sigurimi dhe një certifikatë kontrolli teknik.

Kosova e interpretoi këtë hap të Serbisë si rinovim të regjistrimit me arsyetimin se bie ndesh me marrëveshjen e Brukselit. Prandaj, autoritetet e Kosovës ndaluan qarkullimin e makinave me targa “KM” në Veri që ishin regjistruar në sistemin serb pas arritjes së marrëveshjes për targat në nëntorin e vitit 2022.

3,400 regjistrime: Sot përfundon afati për targat, s’do ketë shtyrje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore