Kampionate

Shqipëria zbret në renditjen e FIFA-s, hapa pozitivë për Kosovën


FIFA ka zbuluar renditjen më të fundit të kombëtareve të futbollit, atë të 19 shtatorit 2024. Shqipëria ka rënë me një pozicion, ndërsa Kosova ka pasur ngjitje me dy.

Nga renditja më e fundit e FIFA-s, “top 10” nuk ndryshon. Argjentina vijon të jetë në krye, e ndjekur nga Franca, Spanja, Anglia, Brazili, Belgjika, Holanda, Portugalia, Kolumbia dhe Italia.

Përsa i përketë kuqezinjëve të drejtuar nga trajneri Sylvinho, ata kanë humbur një pozicion duke u vendosur tashmë të 67-ët në botë. Në krahun tjetër, Kosova është ngritur me dy pozicione duke marrë vendin e 104-ët në botë.

Në performancat e ekipeve kombëtare, kuqezinjëve dhe dardanëve, sigurisht që ndikuan ndeshjet e Nations League.

Shqipëria fitoi 2-1 ndaj Ukrainës, por u mund në shtëpi 0-1 nga Gjeorgjia. Kosova, humbi 0-3 në shtëpi nga Rumania, por mori një fitore bindëse 0-4 në transfertën e Qipros.

Ndeshjet e Nations League do të fillojnë në javën e dytë të tetorit. Shqipëria do të përballet me Çekinë në transfertë më 11 tetor dhe do të udhëtojë në Gjeorgji më 14 tetor. Kosova do të përballet me Lituanin më 12 tetor, në transfertë, ndërsa më 15 tetor do të presë Qipron në Prishtinë.

Nga kombëtaret e Ballkanit, Kroacia qëndron e pozicionuar më mirë, duke mbajtur vendin e 12-të, pas Uruguait (11) dhe para Gjermanisë (13). Më pas renditja ballkanike vijon me Turqinë (26), Serbinë (35), Rumaninë (45), Greqinë (48), Slloveninë (51), Maqedoninë e Veriut (72), Malin e Zi (74), Bosnje dhe Hercegovinën (75) dhe Bullgarinë (81).

Vendi që ka pasur rritjen më të madhe është Brunei, me shtatë pozicione. Pikët më të shumta i ka arritur Bolovia, +35.2.

Katari ka humbur më shumë pozicione, 10-të. Ndërsa, Australia është vendi me më shumë pikë të humbura -26.99.

Kombëtarja e renditur më posht nga FIFA është San Marino (210), e cila pavarësisht fitores ndaj 1-0 Lihtenshtajnit në Nations League, ende vijon të jetë në fund.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore