Kosova

REL: Lajçak nesër në Kosovë


Mirosllav Lajçak

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, nesër (6 shtator) do të qëndrojë për vizitë në Prishtinë, ku pritet të takojë liderë institucionalë, raportoi të enjten “Radio Evropa e Lirë” duke u thirrur në burime diplomatike në Bruksel.

Lajçaku paralajmëroi javën e kaluar se planifikon të realizojë një vizitë në Prishtinë pas përfundimit të aktiviteteve në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit që u mbajt në Slloveni më 2 dhe 3 shtator. Megjithatë, pas vizitës në Prishtinë, diplomati sllovak nuk planifikon të qëndrojë edhe në Beograd.

Kjo vizitë vjen në kuadër të përpjekjeve diplomatike të BE-së për përgatitjen e një takimi në nivel të kryenegociatorëve brenda kornizës së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, vizita vjen në kohën kur tensionet janë ngritur ndjeshëm pas aksioneve të Policisë së Kosovës në veriun e trazuar të territorit të banuar me shumicë serbe.

Në një konferencë për shtyp të enjten, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kërkoi nga autoritetet e Kosovës t’i evitojnë veprimet e njëanshme dhe hapat e pakoordinuar që mund të kontribuojnë në rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe përshkallëzimit të situatës.

“Ne jemi duke i përcjellur mesazhet dhe pritshmëritë tona në mënyrë shumë të qartë. Ne kemi një situatë që tashmë është tepër e paqëndrueshme dhe shqetësimi ynë kryesor – mesazhi ynë kryesor për autoritetet e Kosovës – të evitojnë çdo veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar që mund të kontribuojë në rritjen dhe përshkallëzimin e tensioneve”, shtoi Stano.

Stina e vjeshtës zakonisht nis furishëm në mes të shtatorit, pas pushimeve të verës. Duke qenë se BE-ja është në proces të ndryshimit të udhëheqësve – mandati i Lajçakut është zgjatur deri në janar 2025 – vëzhguesit e procesit të dialogut janë shprehur skeptikë se do të ketë progres real gjatë kësaj kohe.

Ndryshe, takimet e mbajtura së fundi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së, qoftë në nivel të lartë apo në nivel të kryenegociatorëve, nuk kanë prodhuar rezultate konkrete. Kosova dhe Serbia vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve ekzistuese apo për dështimin dhe ngërçin në kuadër të procesit të dialogut.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, fillimisht më 27 shkurt 2023 në Bruksel, pastaj për planin e sekuncimit më 18 mars 2023 në Ohër. Megjithatë, diplomatët evropiano-amerikanë akoma nuk kanë arritur t’i bindin palët ta zbatojnë të njëjtën, pavarësisht insistimit të tyre, ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten.

Realitet apo rrëfenjë mitike: Çfarë thonë analistët për kritikën e Lajçakut?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore