Shqipëria

Rekorde të reja këtë tremujor për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës


Krahasuar me vitin e kaluar, tremujori i parë i vitit 2024 ka nisur me një rritje të konsiderueshme në numrin e udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

TIA – në tre muajt e parë të vitit – ka raportuar 63.9% më shumë udhëtarë sesa e njëjta periudhë vitin e kaluar.

1 milion e 910 mijë e 616 pasagjerë kanë hyrë dhe dalë nga kjo portë, krahasuar me 1 milion e 166 mijë pasagjerë për tremujorin e parë të vitit 2023.

Edhe viti 2023 ka qenë gjithashtu një vit rekordi në shifra udhëtarësh ku deri në fund të muajit dhjetor u numëruar mbi 7.2 milion pasagjerë.

Çka ka qene shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, e cila ishte edhe pika më e madhe e fluksit të turizmit në vend ku në total.

Për atë periudhë, në të gjithë Shqipërinë u regjistruan 10 milionë udhëtarë.

Me marrëveshjet e reja për linjat low cost dhe me shtimin e madh të linjave të reja me destinacione direkte, TIA vijon të ketë rritje të pakrahasueshme udhëtarësh.

E kjo është e dukshme edhe nga shifrat e këtij viti.

Drejtuesit e aeroportit kanë parashikuar që për vitin 2024 të mirëpresin mbi 9 milionë pasagjerë, por me trendin e deritanishëm, ky target duket se do të tejkalohet.

Muajt me fluksin më të madh pritet të jenë muajt maj – tetor, periudhë kur janë shtuar edhe shume destinacione direkte, sezonale, për të rritur sa më shumë mundësitë për pushimet verore.

TIA, për të përballuar këtë fluks, ka zgjeruar terminalin dhe është duke punësuar staf sezonal që t’i përgjigjet me shërbim udhëtarëve të shumtë.

Së fundmi Iberia, ka nisur lidhjen direkte me Madridin. Që prej muajit qershor, Tirana do të lidhet direkt me Kuwait, përmes Jazeera Airways.

Me Croatia Airlines, nisin fluturimet direkte drejt Zagrebit, nga 20 qershori. Air Baltic shton qytetin e Rigës si destinacion në periudhën maj – tetor.

WizzAir shton Valencian dhe Leipzig në listën e destinacioneve të këtij viti. Sun Express do të ketë linjë direkte me Izmirin për sezonin qershor – tetor.

LOT Polish Airline dyfishon prezencën drejt Varshavës, duke shtuar operimet edhe me aeroportin e ri të Radom, prej qershorit.

Transavia ka nisur lidhjen direkte me Amsterdamin si edhe do të fillojë fluturimet drejt Lyon, prej muajit prill. RyanAir do të shtojë Marsejën, Kalabrinë, Brimingamin dhe Bristolin, nga Tirana.

Aegean do të lidhë Tiranën me ishullin e Rhodos dhe Heraklion (Kretë) përgjatë muajve qershor – tetor. Norwegian çel destinacionet drejt Kopenhagen dhe Oslo, gjatë muajve maj – tetor.

Antalia do të jetë e aksesueshme nga Tirana që prej qershorit, me Pegasus. Po nga muaji qershor, nisin fluturimet direkte shtetin ende të paeksploruar të Omanit, me Salam Air.

Kurse Stutgarti lidhet me Tiranën, me Eurowings, duke nisur nga marsi e në vazhdim.

Por planet strategjike të Kastrati Albania, zotëruesi i 100% të aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, duket se nuk ndalen me kaq.

TIA vijon punën intensive për t’u zgjeruar edhe më tej me një terminal edhe më të madh.

Sa i përket planeve të linjave ajrore, synon të lidhë Tiranën drejtpërdrejtë me kontinentin e Amerikës, brenda vitit 2025.

Për realizimin e kësaj rritjeje ambicioze, puna ka nisur si për terminalin e ri ashtu edhe për shtimin dhe rinovimin e pistës, që do të presë avionët ndër-kontinentalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore