Kosova

Regjistrimi i Popullsisë dështoi për shkak të mos-kokëçarjes së Qeverisë, jo për faj të tjetërkujt


Qeveria e Kosovës më 30 shtator të vitit 2022 morri vendim që procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë të nis më 1 shator e të përfundojë më 16 tetor të këtij viti.

11 muaj më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 156-të Qeverisë së Kosovës njoftoi se vendimi i cili mban nënshkrimin e tij nuk do të mund të zbatohet në datën e caktuar.

Shtyrjen për dy muaj të Regjistrimit të Popullsisë – nga 1 shtatori në 1 nëntor – Kurti e arsyetoi duke thënë se një sërë vonesash në përgatitje e kanë bërë të pamundur nisjen e këtij procesi.

Për një vonim të tillë shefi i Qeverisë së Kosovës fajësoi Asociacionin e Komunave të Kosovës, Asociacioni i cili sipas Kurtit tregoi një “rezistencës” brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit.

“Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës së prodhuar edhe brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor. Pra, [procesi do të fillojë] dy muaj më vonë për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet”, tha Kurti.

Kurti tha gjithashtu se në vonimin e procedurave ndikoi edhe vendimi i Qeverisë për ta trajtuar bashkëpunimin me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) si marrëveshje ndërkombëtare e jo “memorandum bashkëpunimi me një organizatë ndërkombëtare”.

Por, ndryshe nga arsyetimet e Kurtit duket se dështimi i fillimit të censusit në datën e caktuar shumë muaj më parë e ka zanafillën diku tjetër – neglizhenca e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, kanë hartuar një Plan Veprimi jo adekuat dhe të parealizueshëm ne raport me rrethanat për Regjistrimin e Popullsisë, paçka në koordinim edhe me Kuvendin kanë miratuar një Ligj jashtë standardeve evropiane dhe ndërkombëtare për Regjistrimin e Popullsisë.

Në dështimin e fillimit të Regjistrimit të Popullsisë sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 30 shtator ka ndikuar gjithashtu edhe mos-kokëçarja e Qeverisë së Kosovës dhe Agjencisë së Statistikave për të përgatitur në mënyrë të duhur e me kohë procesin, me gjithë mungesat ligjore.

Kësisoj Qeveria dhe Agjencia e Statistikave nuk kanë arritur me kohë që të ndërtojnë kapacitetet e nevojshme njerëzore, infrastrukturore dhe administrative për realizimin e Projektit të Regjistrimit të Popullsisë duke shkaktuar dëme zinxhirore saqë kurdo që Qeveria mendon të fillojë me censusin e popullsisë, ky projekt fatalisht do të jetë i predispozuar që të dështojë.

Se fajtore për dështimin e organizimit të Regjistrimit të Popullsie është Qeveria e Kosovës, e jo komunat e Qeveritë paraprake siç tentoi ta shes në opinion publik kryeministri Kurti e thotë edhe Agron Demi aktivist i shoqërisë civile dhe analist i politikave publike në Institutin GAP.

“Kryeministri mund të fajësoj qeveritë e kaluara se kanë mbajtur regjistrimin me një memorandum, apo të fajësoj komunat. Por. fakti është se fajtori kryesorë për këtë dështim është Qeveria. Regjistrimi i 2011 ka qenë i pari në Kosovën e pasluftës dhe memorandumet me organizatat ndërkombëtare edhe kanë qenë të arsyeshme”, shkroi ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Qeveria e Kosovës ka theksuar Demi ka pasur dy vjet e gjysmë kohë për t’u përgatitur për këtë proces duke udhëhequr vetë procedurat e prokurimit pa pasur nevojë të lidhë marrëveshje me organizatat ndërkombëtare.

“Se sa seriozisht e ka kjo qeveri regjistrimin e popullsisë tregon edhe fakti qe e kanë lanë ASK-në me ushtrues detyre të Kryeshefit që nga fillimi i mandatit qeverisës. Boll ma me vajtime e kukatje”.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19.

Sipas regjistrimit të 2011-ës, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milion banorë. Por, në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovës pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore