Shqipëria

Reforma Zgjedhore, Celibashi kërkon depolitizim dhe “përllogaritje” të votimit elektronik


Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, gjatë komunikimit online në komisionin e Reformës Zgjedhore foli për procesin e votimit elektronik.

Ai bëri thirrje që të merret një vendim politik sa i takon shtrirjes së votimit elektronik në të gjithë territorin.

Sipas tij, duhet të shqyrtohen dy faktorë sa i takon kësaj procedure, kostot e larta për shtrirjen në gjithë territorin, si edhe burimet njerëzore.

Por gjithsesi, Celibashi thotë se, votimi elektronik i zgjidh gjithë problematikat siç është ajo e shitblerjes së votës.

“Në një lloj mënyrë si komisoner, edhe brenda KQZ kemi pikëpamje të ndryshme, edhe unë e mbështes në parim shtrirjen më gjerë të votimit elektronik nga sa ne jemi duke e aplikuar”.

Ai theksoi se nuk është shumë i bindur nëse duhet shtrirë menjëherë në të gjithë territorit, por nëse politika dakordësohet dhe thotë po ka dobi që të shtrihet në gjithë territorin.

Në rast të shtrirjes së votimit elektronik në të gjithë territorin, Celibashi thotë se do jetë i nevojshëm edhe një rishikim i numrit të qendrave të votimit.

“Votimi për ata që jetojnë jashtë, duhet të adresohet në mënyrë tjetër. Pra, nëse do bëjmë votim elektronik, duhet të ulim numrin e QV. Ndaj mendoj që vendimi për votimin elektronik, është i vështirë”.

Gjithashtu Celibashi propozoi depolitizim të pjesshëm të komisionerëve në QV dhe KZAZ.

Sipas tij në mesin e komisionerëve përveç përfaqësuesve të partive politike të ketë përfaqësues edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Po ashtu, ai kërkoi që fjala e fundit sa i takon aspektit teknik t’i besohej KQZ.

“KQZ ka një lloj kredibiliteti deri diku të pranuar, të besueshëm nga i gjithë spektri politik, pse jo në komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta të mos kishim një organizim ku të jenë të pranishëm partitë politike, por fjala e fundit në aspektin teknik në nivelet e komisionit të QV dhe KZAZ t’i besohej KQZ-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore