Lajme

Rebelët Houthi: 15 sauditë do të lirohen në shkëmbimin e të burgosurve në Jemen


Të dy palët në konfliktin e Jemenit thonë se kanë rënë dakord të shkëmbejnë të burgosurit pas bisedimeve në Zvicër të ndihmuara nga Kombet e Bashkuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Kreu i delegacionit të qeverisë jemenase ka thënë se rreth 880 të burgosur do të shkëmbehen.

Grupi Houthi i lidhur me Iranin në Jemen ka thënë se do të lirojë 181 të burgosur, duke përfshirë 15 sauditë dhe tre sudanezë, në këmbim të 706 të burgosurve nga qeveria.

Kjo referuar deklaratave në Twitter nga kreu i komitetit të çështjeve të të burgosurve të Houthis, Abdul Qader al-Murtada dhe kryenegociatori i grupit Mohammed Abdulsalam.

Al-Murtada ka bërë me dije se shkëmbimi do të ndodhte brenda tre javësh.

I dërguari i posaçëm i OKB-së Hans Grundberg ka thënë se marrëveshja ishte një nga disa zhvillime që dhanë arsye për të besuar se gjërat po ecnin “në drejtimin e duhur’ dhe drejt një zgjidhjeje të konfliktit tetë-vjeçar që ka lënë më shumë se 20 milionë njerëz në nevojë për ndihmë humanitare.

“Nga diskutimet, ndjej se ka një vullnet për t’u angazhuar në një drejtim pozitiv në përpjekjen për të arritur një zgjidhje për konfliktin në Jemen”, ka vijuar ai.

Sakaq, Arabia Saudite nuk i ka komentuar deklaratat e zyrtarëve Houthi. Ndërsa SHBA-të e mirëpresin marrëveshjen.

“Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm përpara, duke u mbështetur në momentin e armëpushimit të ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe një periudhë de-përshkallëzimi që ka zgjatur pothuajse një vit”, ka thënë Vedant Patel, zëvendës zëdhënësi kryesor në Departamentin e Shtetit.

Ai ka shtuar se SHBA-të ishin të përkushtuara për të “përparuar një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit”.

Ka shpresë se një marrëveshje mund të lehtësojë përpjekjet më të gjera për t’i dhënë fund konfliktit, të cilat janë ndihmuar nga rifillimi i lidhjeve midis Iranit dhe Arabisë Saudite këtë muaj.

Grundberg i ka thënë Këshillit të Sigurimit të OKB-së javën e kaluar se kishte përpjekje intensive diplomatike në nivele të ndryshme për t’i dhënë fund luftimeve.

Shkëmbimi i rreth 15 mijë të burgosurve të lidhur me konfliktin ka qenë në diskutim si një masë kyçe e ndërtimit të besimit sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja e dhjetorit 2018, e njohur si Marrëveshja e Stokholmit.

Referuar asaj marrëveshjeje, palët ranë dakord “të lirojnë të gjithë të burgosurit, të paraburgosurit, personat e zhdukur, personat e ndaluar dhe të zhdukur me forcë në mënyrë arbitrare dhe ata në arrest shtëpiak”, të mbajtur në lidhje me konfliktin, “pa asnjë përjashtim apo kusht”.

Por progresi ka qenë i ngadaltë.

Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri në Jemen në vitin 2015 pasi Houthis aleatë të Iranit përmbysën qeverinë nga kryeqyteti, Sanaa, në vitin 2014.

Konflikti ka krijuar një nga fatkeqësitë më të këqija humanitare në botë.

Një armëpushim i ndërmjetësuar nga OKB-ja prillin e kaluar është mbajtur kryesisht, pavarësisht se skadon në tetor pa rënë dakord palët për ta zgjatur atë.

Marrë nga “Al Jazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore