Sport

Rebecca Cheptegei: Atletja olimpike ndërron jetë pasi u dogj nga partneri i saj


Rebecca Cheptegei (AP)

Atletja olimpike nga Uganda, Rebecca Cheptegei, ka vdekur në një spital kenian ku po trajtohej pasi 80% e trupit të saj u dogj nga një sulm nga partneri i saj. Ajo ishte 33 vjeçe.

Një zëdhënës i spitalit, Owen Menach, konfirmoi vdekjen e Cheptegei të enjten.

Menach tha se vrapuesja për distanca të gjata vdiq herët në mëngjes pasi organet e saj dështuan.

Cheptegei garoi në maratonën e femrave në Lojërat Olimpike të Parisit më pak se një muaj para sulmit. Ajo përfundoi në vendin e 44-të.

Babai i saj, Joseph Cheptegei, u tha gazetarëve në spital se kishte humbur një vajzë e cila ishte “shumë mbështetëse” dhe shpreson të marrë drejtësi.

Komandanti i policisë në Trans Nzoia, Jeremiah ole Kosiom tha të hënën se partneri i Cheptegei-t, Dickson Ndiema, bleu një shishe me benzinë, e derdhi mbi të dhe i vuri flakën gjatë një mosmarrëveshjeje të dielën. Edhe Ndiema u dogj dhe po trajtohej në të njëjtin spital.

Menach tha se Ndiema ishte ende në njësinë e kujdesit intensiv me djegie mbi 30% të trupit të tij, por po “përmirësohej dhe ishte i qëndrueshëm”.

Prindërit e Cheptegei thanë se vajza e tyre bleu tokë në Trans Nzoia për të qenë pranë qendrave të shumta të trajnimit atletik.

Një raport i dorëzuar nga policia lokale tha se të dy u dëgjuan duke u grindur për tokën ku ishte ndërtuar shtëpia e saj para sulmit.

Kujtojmë se Afrika ka një rekord të mirëdokumentuar të vrasjeve të atletve.

Në vitin 2023, vrapuesi olimpik nga Uganda, Benjamin Kiplagat u gjet i vdekur me plagë të shkaktuara nga thika.

Në vitin 2022, atletja e lindur në Kenia, Damaris Muthee u gjet e vdekur dhe një raport pas vdekjes deklaroi se ajo ishte mbytur.

Në vitin 2021, vrapuesja për distanca të gjata, Agnes Tirop u godit me thikë për vdekje në shtëpinë e saj. Burri i saj, Ibrahim Rotich, u arrestua dhe u akuzua për vrasje, çështja është në vazhdim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore