Sport

Real-i gjen pasuesin e Modric-it te Inter-i, gati t’i ofrojë rreth 80 milionë euro


Luka Modric me shumë mundësi do ta luajë sezonin e fundit me Real Madrid-in, pasi që kur t’i skadojë kontrata në verën e ardhshme, do t’i mbushë 38 vjet.

Në këtë mënyrë, drejtuesit e klubit mbretëror janë duke kërkuar për një zëvendësues të denjë të kroatit, i cili deri më tani ishte “garancia” në mesfushë.

Sipas asaj që shkruajnë mediat spanjolle, i fundit në listën e Real-it është mesfushori i Inter-it, Nicoli Barella.

Paraqitja e italianit në ndeshjen e fundit kundër Barcelonës, thuhet se ka impresionuar trajnerin e Real-it, Carlo Ancelotti-n.

Mediat madrilene raportojnë se drejtuesit e Real-it e shohin Barella-n si njeriun e duhur për të zëvendësuar kroatin Modric dhe janë gati të paguajnë plot 80 milionë euro verën e ardhshme për kartonin e mesfushorit italian.

Ancelotti nuk e ka fshehur kurrë simpatinë për Barella-n, por paraqitja në “Camp Nou” ka bindur edhe presidentin e Real-it, Florentino Perez-in, që ka autorizuar bashkëpunëtorët e tij të nisin negociatat me drejtuesit e Inter-it.

Kujtojmë që Barella është pjesë e Inter-it që nga vera e vitit 2020, kkur u transferua nga Cagliari për shumën e 32 milionë eurove.

Deri më tani 25-vjeçari ka luajtur në 106 ndeshje në të gjitha garat me fanellën zikaltër, prej të cilave ka shënuar 10 gola dhe ka dhuruar 30 asistime.

Barella gjithashtu është edhe një nga titullarët e padiskutueshëm në formacionin e kombëtares së Italisë, i cili deri më tani numëron 48 paraqitje dhe tetë gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore