Lajme

Reagon politika pas sulmit tragjik në Deçan


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Liderë të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe nga partitë politike kanë reaguar pas sulmit të armatosur ndaj autobusit me nxënës në fshatin Gllogjan të Deçanit, ku është konfirmuar se kanë vdekur tre persona, shoferi i autobusit dhe dy nxënës, ndërsa i plagosur ka mbetur një person tjetër.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se është e tronditur nga lajmi “për aktin kriminal në Gllogjan, në të cilin sipas të dhënave aktuale kanë humbur jetën 3 persona dhe ka mbetur një i plagosur”.

“Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe uroj shërim të shpejtë për të lënduarin. Ftoj organet e rendit që sa më parë t`i zbulojnë autorët e krimit dhe t`i sjellin para drejtësisë.”

Ajo ka thënë se sulmi ndaj autobusit me nxënës është “goditje ndaj rendit e sigurisë sonë” duke shtuar se “siguria e qytetarëve është prioritet, ndaj nuk do të zmbrapsemi në përmbushjen e këtij misioni”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sonte është tronditur nga lajmi për sulmin me armë zjarri ndaj autobusit me nxënës në Gllogjan të Deçanit.

Ai ka shprehur ngushëllime familjeve dhe shokëve e shoqeve që humbën më të dashurit e tyre në këtë sulm.

“Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve, shokëve e shoqeve, që humbën më të dashurit në këtë sulm”.

Ndërsa të plagosurit Kurti i ka dëshiruar shërim të shpejtë.

“Policia është mobilizuar me kapacitetet e saj të plota për ta hetuar këtë krim të rëndë, e për të mundësuar drejtësi”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Albin Kurti

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se është i tronditur nga rasti në Gllogjan.

“Sonte u tronditem nga rasti tragjik i cili ndodhi në Gllogjan të Deçanit.

Nga lajmet qe po lexojmë deri tani, kanë humbur jetën tre qytetarë ku dy prej tyre janë fëmijë.

Bashkëndjejmë me familjarët e viktimave nga kjo ngjarje me përmasa kriminale”.

Ai i ka bërë thirrje autoriteteve të rendit që të zbulojnë sa më parë “autorët e këtij krimi të rëndë dhe t’i sjellin ata para drejtësisë. Orët janë të gjata”, ka shkruar ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas sulmit tragjik duke thënë se bashkëndjen me familjet e viktimave.

“Në këto orë të rënda për familjarët e viktimave, i bashkohemi dhimbjes së tyre, ndërsa të lënduarve ju dëshirojmë shërim të shpejtë”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi tutje ka thënë se organet përgjegjëse të sigurisë duhet sa më parë “të zbardhin rastin dhe autorin e kësaj vepre të tmerrshme të sjellin para drejtësisë”.

Memli Krasniqi

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se është i trishtuar dhe i tronditur nga akti makabër sonte në Deçan.

“Është më shumë se krim! Në këto momente të rënda, jemi me familjarët e viktimave dhe të lënduarve në Deçan. Ndajmë dhimbjen dhe lutjet me ta”.

“Organet e rendit dhe drejtësisë të veprojnë shpejtë e në kapacitet të plotë. Të sjellin para ligjit e drejtësisë autorin e këtij krimi monstruoz, që sulmon një autobus të mbushur me nxënës e fëmijë:, ka shkruar ai në Facebook.

Lumir Abdixhiku

Edhe Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behxhet Pacolli ishte ndër të parët qw ka reaguar pas sulmit me armë zjarri ndaj autobusit me nxënës.

Ai është shprehur i tronditur nga lajmi, duke iu shprehur ngushëllimet e tij familjeve të viktimave.

“Jemi të tronditur nga lajmi për disa të vrarë në fshatin Gllogjan të Deçanit. Lutemi për të lënduarit dhe shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve të viktimave”.

“Tragjedi si kjo duhet të na bëjnë të zgjohemi dhe të kërkojmë zero tolerancë për armëmbajtje dhe për kriminelët e tillë!”, ka shkruar Pacolli.

Behxhet Pacolli

Pas sulmit ndaj autobusit të nxënësve kanë ardhur reagime edhe nga Maqedonia e Veriut.

Kryetari i Bashkimit Demokrati për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti përmes një postimi në Facebook ka thënë se e dënon në formën më të rreptë të mundur sulmin ç’njerëzor në Gllogjan që la viktima dhe të plagosur.

“Plaga e pashëruar rëndohet edhe më shumë nga skenat shokuese nga Gllogjani i Deçanit të Kosovës time”.

“Jeta e njeriut është e shenjtë, Zoti e fal, Zoti e merr, jo njeriu”.

“I tronditur thellë, bashkëndjej me familjet e viktimave dhe me çdo qytetarë të Kosovës e të gjithë shqiptarët kudo që jemi në këtë botë të trazuar”, ka shkruar Ahmeti.

Ali Ahmeti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore