Reagon edhe Pentagoni: Kurti t’iu sigurojë kryetarëve të përkohshëm objekte alternative, të tërhiqet edhe policia

SHFLETO

John Kirby

 

Armat Matoshi
31.05.2023 22:08
Loading Icons...

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, John Kirby, tha se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet t’iu sigurojë kryetarëve të rinj – Ilir Peci, Izmir Zeqiri dhe Lulzim Hetemi – objekte alternative dhe t’i tërheqë njësitet elitare policore nga pjesa veriore e Kosovës.

Në një konferencë për media të mërkurën, zëdhënësi i Pentagonit është pyetur edhe për deklaratat e kryeministrit Kurti, i cili shqiptoi një arsenal me kritika në drejtim të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duke e quajtur “naive” dhe “të gabuar” reagimin e tij për situatën në veri.

“Nuk i kam parë komentet e kryeministrit për qëndrimet tona, kështu që unë po e përsëris qëndrimin tonë: Ne besojmë që të gjitha palët duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar situatën”, deklaroi fillimisht Kirby, për të vazhduar më pas me apelin e administratës amerikane për ekzekutivin kosovar.

“Kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës duhet të sigurohen që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre të përkohshme në hapësira alternative – jashtë hapësirave të ndërtesës së komunës – dhe forcat policore të tërhiqen nga objektet komunale në veri”, shtoi tutje Kirby.

Kirby e dënoi ashpër edhe plagosjen e dhjetëra pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) – kryesisht hungarezë dhe italianë – nga protestuesit e dhunshëm serbë. Këto sulme, pohoi ai, ku mbeten të lënduar 30 paqeruajtës të KFOR-it, janë absolutisht të papranueshme.

Ai pati një thirrje edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili urdhëroi dislokimin e njësive ushtarake në kufirin me Kosovën dhe e njëjta të mbetet në gatishmëri të lartë luftarake, pas trazirave në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Vuçiç dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura, t’i nxisin serbët e Kosovës që t’i ndalin konfrontimet me KFOR-in dhe të përmbahen nga dhuna. Ne duam de-përshkallëzim të situatës, ne duam të ndalet dhuna”, theksoi Kirby.

“Ky është reagimi ynë. Mendoj se është e vështirë të mendohet se kjo është diçka e zmadhuar/hiperbolizuar në çfarëdo mënyre”, u shpreh zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Derisa Serbia lëvizi ushtrinë, komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera të QUINT-it (Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe), e kanë bërë fajtore Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.