Lajme

Reagon edhe Hovenier për linçimin e policëve të rinj nga komunitetet: Krejtësisht të papranueshme


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka ndarë shqetësimet e njëjta me Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, lidhur me raportimet se policët e rinj nga komuniteti serb janë përballur me fushatë linçuese dhe kërcënime në rrjetet sociale.

Përmes një postimi në Twitter, Hovenier tha se kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës “janë krejtësisht të papranueshme”.

“Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyrojë diversitetin e Kosovës”, theksoi diplomati amerikan.

Reagim ka pasur edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Duke shpërndarë postimin e shefit të EULEX-it, Rohde tha se është “plotësisht dakord” me ato që Barbano i ka theksuar.

“Kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese”, shkroi Rohde në Twitter, duke shtuar se “duhet të ndalet menjëherë”.

Policët e rinj, pohon ambasadori, “nga komunitetet boshnjake, rome, serbe dhe turke meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar”.

Ndryshe, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, ka shprehur shqetësimin lidhur me raportimet se policët e rinj nga komuniteti serb janë përballur me fushatë linçuese dhe kërcënime në rrjetet sociale.

Të hënën e kësaj jave e nisën punën 72 policë të rinj nga komunitetet joshumicë, përfshirë 45 nga komuniteti serb, pas konkursit të shpallur nga Policia e Kosovës në fillim të këtij muaji, megjithatë shefi i EULEX-it e ka cilësuar si të papranueshëm çdo lloj kërcënimi apo frikësimi ndaj tyre.

“Jam shumë i shqetësuar nga raportimet e mediave lidhur me mesazhet kërcënuese kundër policëve të rinj të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm, dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe ajo përfaqëson tërë popullsinë e Kosovës”, ka shkruar ai në llogarinë e tij.

Të papranueshme kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë, thotë shefi i EULEX-it

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore