Shqipëria

Berisha non-grata nga SHBA, Basha: Vendimi i sotëm i DASH nuk cenon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar lidhur me shpalljen e Berishës, non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

“U njoha me keqardhje me vendimin e Sekretarit të Shtetit për ish Presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha. Duke nënvizuar qëndrimin e z. Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim”.

Kështu e ka nisur reagimin e tij Basha, përmes një postimi në median sociale Facebook.

Ai theksoi se “Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta”.

Sipas Bashës, në kohën që Berisha ishte kryeministër, Shqipëria ka përmbushur të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin kryekushte.

“Vendimi i sotëm i Sekretarit të Shtetit nuk cënon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë Euro-Atlantikë, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Basha në fjalën e tij.

Kryedemokrati u shpreh gjithashtu se  i konsiderojnë SHBA-të aleatin strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si prioritet absolut kombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore