Shqipëria

Reagon Balla: Sulmet e dëshpëruara të Metës nuk cënojnë reformën historike


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)dhe Bashkimin Evropian (BE) për mbështetjen që i kanë dhënë vendit tonë në zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Mirënjohje SHBA-së dhe BE-së për mbështetjen e vazhdueshme që i japin zbatimit të Reformës në Drejtësi”, shkruan Balla në Facebook.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste deklaroi se “Sulmet e dëshpëruara të Ilir Metës, pas të cilit qëndrojnë Sali Berisha, Lulzim Basha & co, kundër Reformës dhe kundër institucioneve të reja të Drejtësisë nuk mund të cënojnë aspak këtë reformë historike”.

Këto replika vijnë pas deklaratës për shtyp të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH). Në deklaratë falenderoheshin 12 drejtues të institucioneve të drejtësisë në botë. Mes 12 drejtuesve falenderohej dhe Ardian Dvorani, ish-kreu i Këshillit të Emërtimeve në Drejtësi.

Rikujtojmë se fillimisht kryeministri  i Shqipërisë, Edi Rama, falenderoi Dvoranin nëpërmjet një posti në Twitter. Rama shkruante se “Dvorani u godit pasi nuk iu dorëzua presionit të së keqes”.

Më pas, zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi, ka reaguar duke hedhur akuza nëpërmjet një posti në Facebook.

“Ramaforma ka thirrur në ndihmë edhe Taku Çmendarakun, të nominuarin për çmimin “Guinness”, si i vetmi jurist që nuk ka fituar një gjyq në jetën dhe karrierën e tij. Më 25 prill 2021, Shqipëria do jetë e shqiptarëve dhe jo më e oligarkëve dhe e mafies ndërkombëtare”.

Gjatë viteve të fundit, Ardian Dvorani, është sulmuar nga presidenti Ilir Meta, për shkak të vendimeve të marra prej tij për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore