Kosova

Reagime pas publikimit të AP-së për bisedën e Kurtit me pjesëtarët e NjSI-së: S’është dashur të lejohet të marrë pjesë në varrimin e Heroit Afrim Bunjaku


Shkrimi i Albanian Post për injorimin kërkesave të pjesëtarëve të Njësisë Speciale Interveneuse nga kryeministri Albin Kurti, gjatë takimit të përbashkët që u zhvillua të mërkurën e 15 nëntorit, ka ngjallur reagime të shumta.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Kurti i “ishte dorëzuar regjimit serb gjatë luftës” dhe e ka porositur që t’ua plotësojë kërkesat prestarëve të NjSI-së.

“Për dallim nga t’i kryeministër, që dikur i ishe dorëzuar regjimit serb gjatë luftës, pa rezistencë, pjesëtarët e Njësisë Speciale që t’i sot i fyen, më 24 shtator nuk u dorëzuan, por luftuan duke i mposhtur me turp terroristët e sponsorizuar nga Serbia”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Deputeti i AAK-së ka kërkuar nga Kurti që mos ta fyej Policinë, duke i thënë se “e dimë se kush je”, derisa ia rikujtuar se Policia është një prej sukseseve më të mëdha të shtetit.

Ndërsa ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka potencuar se është i bindur 100 për qind se Kurti ka pasur një komunikim me policët siç ka raportuar AP gjatë së hënës.

“Duke e ditë sjelljen e Kurtit me sindikatën e arsimit – dhe historinë e tij, ky artikull duket 100% i besueshëm”, ka shkruar ai në platformën X.

Pas raportimit të AP-së për takimin e Kurtit me pjesëtarët e NjSI-së, ka reaguar edhe opinionisti Ilir Mirena, duke e marrë si të mirëqenë vërtetësinë deklaratave të Kurtit.

“Duke potencuar se mbi këtë logjikë mundemi me mbërri me thanë se askush deri më sot send s’ka bërë për Kosovën, as Hasan Prishtina, as Shaban Polluzha, as Familja Jashari, Fehmi Lladrovcin, Zahir Pajaziti, Luan Haradinajn, as Jusuf Gervalla, Hashim Thaçi, Ibrahim Rugova, as Adem Demaçi, e plotë e plotë të tjerë, askush përpos deluzionistit Albin Kurti”, shkroi ai në Facebook.

Mirena, ka theksuar se Kurti nuk është dashur të lejohet të marrë pjesë në varrimin e rreshterit Afrim Bunjaku që u vra më 24 shtator në fshatin Banjë të Zveçanit.

“E përderisa sipas tij askush send s’ka bërë ai nuk duhet ftuar të merr pjesë në asnjë ceremoni përkujtuese që nderon heronjtë e Kosovës. Kurtin nuk është dashtë me e lanë me marr pjesë as në ceremoninë e varrimit të Afrim Bunjakut”, shtoi ai.

“Nuk keni bërë gjë me 24 shtator, i keni vrarë tre veta me snajper nga distanca” – Ekskluzive: Fjalitë brutale që Albin Kurti ua tha Specialëve në takimin e 15 nëntorit

Albanian Post ekskluzivisht ka kuptuar çfarë është biseduar në mes të pjesëtarëve të NjSI-së, grupit elitë të policisë, të njohur edhe si FIT dhe Albin Kurtit, i cili u ka thënë se nuk mund t’ua plotësojë kërkesat e prezantuara, sepse “nuk mund të dorëzohem para jush”.

Ndryshe nga sa e paraqiste në publik si një betejë të jashtëzakonshme të NjSI-së, Kurti u është drejtuar pjesëtarëve të FIT-it duke u thënë se “nuk është se keni bërë gjë (me 24 shtator), i keni vrarë tre veta me snajper nga distanca”.

Përveç se ofendues, përfaqësuesit e NjSI-së u befasuan se si Kurti nuk e ka lexuar as raportin e institucioneve, përndryshe do ta dinte se jo të gjithë terroristët u vranë me snajper dhe jo të gjithë u vranë nga largësia.

Nga burimet brenda takimit, Albanian Post kupton se Kurti ishte treguar indiferent ndaj policëve edhe kur ata i deklaruan se nuk po protestojnë për shkaqe politike, por për dinjitet dhe kushte më të mira dhe se “për Kosovën luftojmë, siç kemi bërë edhe në të kaluarën, edhe veç me bukë e djathë”.

Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese duke protestuar para ndërtesës së Qeverisë më 1 tetor.

Luftë është kur vdesin shumë dhe mbesin pak”, ua ka kthyer Kurti, duke thënë se me 24 shtator në ballafaqim me terroristët serbë të udhëhequr nga Milan Radojiçiç, nuk u bë luftë meqë ka vdekur vetëm një polic.

Me vdek një polic është normale që fëmijët tanë të jetojnë të sigurt”, kishte shtuar Kurti duke vazhduar t’i befasojë të pranishmit.

Nga takimi përfaqësuesit u larguan me ide të qarta se duhet ta vazhdojnë protestimin në rrugë. Përsëri me kërkesat e njëjta.

Protestën e kanë lajmëruar për 9 dhjetor, në orën 12:00, sërish në shesh para qeverisë.

Specialëve në protestë u janë bashkuar grupe të tjera të pakënaqurish brenda policisë si Departamenti për Hetime, ai për Rend Publik dhe departamente të tjera.

Nga çfarë ka marrë vesh Albanian Post nga burime brenda policisë, përqendrimi i Qeverisë nuk është që të gjejë një zgjidhje për të pakënaqurit e FIT-it, por hetimi i një mundësie për zëvendësimin e tyre, meqë tashmë nga qeveria portretizohen si “kokëçarës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore