Kosova

Raundi i ri i dialogut pa rezultat, ekspertja amerikane kritikon BE-në: Po vazhdon me të njëjtën qasje, ky është përkufizimi i çmendurisë


Majda Ruge

Majda Ruge, studiuese dhe bashkëpunëtore e lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, ka komentuar dështimin e raundit të ri të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë të mbajtur këtë të enjte në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) i cili nuk ka arritur t’i përmbushë pritshmëritë e vëzhguesve.

Në një prononcim për “Zërin e Amerikës”, analistja amerikan ka thënë se përkundër që pritshmëritë ishin që takimi do të krijonte një moment për t’i dhënë kahje të re dhe një kornizë më konstruktive zbatimit të Marrëveshjes Bazë mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është për t’u çuditur që ai nuk i përmbushi pritshmëritë.

Ajo ka kritikuar qasjen e deritanishme të BE-së në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke u shërbyer me një shprehje të ikonës së matematikës dhe fizikës, Albert Ajnshtajn, derisa ka shtuar se problemi i ngërçit qëndron tek pikëpamjet krejtësisht të ndryshme të palëve, posaçërisht rreth çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Pse po vazhdojmë të dështojmë? Siç ka thënë [Albert] Ainshtajni përkufizimi i çmendurisë është të bësh gjithmonë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultat tjetër. E tërë korniza e Bashkimit Evropian për ndërmjetësim po vazhdon me të njëjtën qasje ndërkohë që po neglizhon sfidat që nuk do të zhduken nëse nuk e ndryshojmë qasjen”, ka thënë Ruge.

Kështu është shprehur ekspertja amerikane që ka dëshmuar dy herë në seancat dëgjimore të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Marrëdhëniet me Jashtë për Ballkanin Perëndimor, pas takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut nën patronazhin e BE-së i cili nuk ka prodhuar rezultate të prekshme normalizuese.

Përderisa asnjë rezultat në funksion të zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel 27 shkurt – Ohër 18 mars) nuk ka prodhuar takimi i së enjtes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka fajësuar kryeqeveritarin kosovar për mosgatishmërin e tij për të bërë kompromis.

Negociatat diplomatike të ndërmjetësuara nga BE-ja me përkrahjen e SHBA-ve nuk kanë prodhuar rezultate të prekshme në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve, derisa kryeministri Kurti e presidenti Vuçiç nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre, posaçërisht për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore