Kosova

Raund i ri i negociatave Kurti – Borrell – Lajçak


Pas takimit të parë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka filluar raundi i dytë i negociatave, transmeton televizioni publik i Kosovës.

Raundi i dytë me Kurtin vjen pas përfundimit të takimit të zyrtarëve të BE-së me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Pas përfundimit të takimit të parë në mes të Kurtit, Borrell-it dhe Lajçak-ut, nuk ka pasur deklarime për media.

Ndërsa, Vuçiç pas takimit me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe Emisarin Special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka thënë se Kosova për shumicën e vendeve të BE-së është shtet i pavarur, porse tani është bërë “adoleshente e krisur”.

Në një prononcim para gazetarëve të pranishëm në Bruksel, ka thënë se shtetet perëndimore e krijuan vetë shtetin e pavarur të Kosovës dhe e mbajtën atë “derisa ishte në djep”, porse tani, sipas pretendimeve të tij, ajo është bërë një “adoleshente çapkëne dhe e krisur”.

“Ka arritur një moshë të krisur dhe jo më pak të rrezikshme. Por ata ende e mbajnë fëmijën e tyre. Duhet të dimë se pozicioni ynë është shumë i vështirë, gjithçka që vlen për Ukrainën nuk vlen për Serbinë, gjithçka që vlen për ta nuk vlen për askënd tjetër. Por është e drejta e më të fortit dhe duhet të mësohemi”, ka thënë ai.

Para fillimit të takimeve me Kurtin dhe Vuçiç-in, shefi i diplomacisë evropiane shkroi në rrjetin e tij social “Twitter”, se “situata në Veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar”.

“Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për de-eskalim të menjëhershëm dhe rrugën përpara”, ka shkruar paraprakisht kreu i diplomacisë evropiane, para takimit me kryeministrin Kurti.

“Nevojiten ide konstruktive dhe gatishmëri për kompromis për të adresuar krizën e vazhdueshme në veri të Kosovës. Palët pritet të qetësojnë tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre pa parakushte”, ka shkruar Borrell në llogarinë e tij në “Twitter”.

Paraprakisht, Bashkimi Evropian, kishte bërë të ditur se Borrell, do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës.

“Pas zhvillimeve të fundit në Veri të Kosovës, Josep Borrell, i mbështetur nga Miroslav Lajçak, do të organizojë një sërë takimesh për menaxhimin e krizave me Kurtin dhe Vuçiç-in në Bruksel”.

Tensionet në Veri të Kosovës kanë filluar që nga 26 maji, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 26 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Ndërsa, situata agravoi edhe më tej kur xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës në vijën kufitare

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve të krijuara në Veri; qetësimin e situatës në Veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në Veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Nga ana tjetër, Serbisë i kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës.

https://albanianpost.com/vucic-femija-i-perendimit-eshte-bere-nje-adoleshente-e-krisur-dhe-e-padisiplinuar/

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore