Lajme

Rasti “Panda”, familjarët e viktimave kërkojnë nga Vuçiç-i të tregojë se kush i vrau të rinjtë serbë


Prindërit e gjashtë të rinjve serbë që u vranë në kafiterinë “Panda” në Pejë, gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998, në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” kanë kërkuar nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç që të tregon se kush i ka vrarë fëmijët e tyre.

Ljubomir Ristiç, babai i njërit nga të vrarët tha se sot bëhet një vit që kur Vuçiç kishte thënë në një konferencë për shtyp se do të priste prindërit e viktimave për një takim.

“Po i kërkoj Vuçiçit si burrë, politikan, shtetar dhe avokat që të shkojë në Prokurorinë për krim të organizuar dhe t’i jap të gjitha informacionet që ka për këtë rast”, tha Ristiç.

Ai tregon se institucionet shtetërore dhe zyrtarët e lartë shtetërorë kanë 25 vite “që luajnë me dhimbjen e familjeve”.

“Vuçiç tha publikisht në vitin 2013 se e dinte se çfarë ndodhi atë natë fatale dhe pse nuk ia dorëzoi atë informacion prokurorisë. Pas deklaratës së tij, i kemi shkruar më shumë se dhjetë herë, por ai nuk na ka kthyer as një përgjigje”.

Ndërsa Ljubica Trifoviç, nëna e njërit nga serbët e tjerë të vrarë është shprehur e bindur që Vuçiç e di se kush i vrau gjashtë të rinjtë serbë.

“Ai ka frikë nga shërbimet sekrete dhe nuk do të na presë kurrë për takim, edhe pse ka premtuar disa herë”, potencoi Trifoviç.

Krimin, i cili është kryer më 14 dhjetor të vitit 1998, autoritetet e atëhershme të shtetit serb e patën quajtur “akt terrorist” dhe për të i patën fajësuar shqiptarët dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Megjithatë vetë presidenti serb në vazhdimësi ka deklaruar se krimi nuk është kryer nga shqiptarët dhe se ai “pothuajse e di” çfarë realisht ka ndodhur në Pejë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore