Lajme

Rasti i 53-milionëshit, Pal Lekaj dënohet me 3.8 vjet burgim


Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, është dënuar me 3 vjet e tetë muaj burgim efektiv në rastin e 53 milionëshit ku të akuzuar përveç ish-ministrit të Infrastrukturës ishin edhe Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.

Sipas Gjykatës, Lekaj është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e dëmtim me dashje të buxhetit të Kosovës.

Përveç dënimit me burg, Gjykata ka ndaluar për 3 vjet e gjashtë muaj ushtrimin e funksionit publik në administratë publike për Lekajn.

Ndërsa Nebih Shatri është dënuar me 1 vit e 8 muaj burg, dhe 2 vjet ndalim të ushtrimit të funksionit publik.

Besim Tahiri është dënuar me me 1 vit e 8 muaj burgim, dhe 2 vjet ndalim të ushtrimit të funksionit publik.

Eset Berisha është dënuar me burgim prej 3 vitesh e 3 muaj, dhe 3 vite ndalim të ushtrimit të funksionit publik.

Vendimet do të hyjnë në fuqi pasi aktgjykimi ta marrë formën e prerë.

Në deklarimet e tyre paraprake të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, me bashkëpunëtorë, ka keqpërdorur detyrën zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore