Lajme

“Marrëveshja e Brukselit”, raportohet se Policia e Kosovës ua ndaloi hyrjen makinave me targa ilegale serbe


Ilustrim

Një autoambulancë me targa ilegale serbe raportohet se është ndaluar të mërkurën e 18 janarit nga Policia e Kosovës në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë.

Ndalimi i automjeteve, sipas mediumit serb b92, është bërë me arsyetimin se nuk kishte të drejtë të qarkullonte me targa ilegale, së cilave i është vazhduar regjistrimi pas datës 10 dhjetor.

Albanian Post ka tentuar të marrë një përgjigje nga Policia e Kosovës, por këta të fundit nuk kanë qenë të qasshëm në telefon.

Ndërkaq, shoferi i ambulancës nga Mitrovica e Veriut, Milan Jovanoviç, pohoi se policët i kanë thënë se të gjitha automjetet e regjistruara pas datës 10 dhjetor konsiderohen të paregjistruara dhe se kjo rrjedh nga “Marrëveshja e Brukselit”.

“Fillimisht i kanë marrë dokumentet dhe kanë thënë se vetura është e paregjistruar dhe nuk mund të hyjë në Kosovë. Sot në orën 10:00 ka ardhur një vendim që asnjë automjet me targa KM nuk mund ta vazhdojë regjistrimin pas datës 10 dhjetor”, shtoi Jovanoviç.

Ai theksoi se zyrtarët e Policisë së Kosovës më pas kanë kthyer pas të gjitha veturat private të regjistruara me targa “KM., GL., e të tjera”.

Kosova dhe Serbia më 23 nëntor, përkatësisht kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, kishin nënshkruar marrëveshje në Bruksel për de-eskalim.

Kosova kishte hequr dorë nga zbatimi i masave të shkallëzuara për veturat me targa ilegale, pra nuk do kishte gjoba dhe as konfiskime, derisa Serbia ishte zotuar se nuk do të prodhojë targa ilegale reja me ankronimet e qyteteve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore