Raportohet një “vdekje e dyshimtë” në Prishtinë, policia nis hetimet
SHFLETO
Ilustrim
Mërgesa Redenica
13.12.2021 9:42
Loading Icons...
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast në komunën e Prishtinës të cilësuar si “vdekje e dyshimtë”. Viktima, të dielën e 12 dhjetorit, teksa ishte duke ecur në rrugë, është rrëzuar.
Sipas raportit 24 orësh të policisë, vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor.
“Raportohet se viktima mashkull kosovar derisa ka qenë në rrugë është rrëzuar. Njësitë relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dal në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës”.
Sipas njoftimit, thuhet se me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Rasti vazhdon të hetohet”.
Ndërkaq, policia ka arrestuar një person në komunën e Gjakovës për armëmbajtje pa leje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit në shtëpinë e tij , i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 11 fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”.
Kurse nga Departamenti i Policisë Kufitare është raportuar për një rast tjetër për armëmbajtje pa leje, ku gjatë kontrollit në trup te i dyshuari mashkull kosovar i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gjashtë copë fishekë.
“I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.
Bazuar në statistikat e përgjithshme të policisë, brenda 24 orëve të fundit policia ka arrestuar 18 persona, ku 13 janë dërguar në mbajtje.